Rusia thotë se nga mesi i gushtit do të miratojë një vaksinë kundër Covid-19

  • E.K /
  • 29 July 2020 - 11:07
Rusia thotë se nga mesi i gushtit do të miratojë një vaksinë kundër Covid-19

Rusia po synon të bëhet shteti i parë në botë që e miraton përdorimin e një vaksine kundër koronavirusit pas më pak se dy javësh, pavarësisht shqetësimeve për sigurinë dhe efikasitetin e saj.

Zyrtarët rusë i thanë televizionit CNN se janë duke punuar që vaksina të miratohet rreth datës 10 gusht ose edhe më herët. Vaksina është krijuar nga Instituti Gamaleya me bazë në Moskë.

Këta zyrtarë thanë se përdorimi i vaksinës në fjalë do të miratohet për të gjithë, por të parët do të vaksinohen punëtorët shëndetësorë që janë në vijën e frontit në luftën kundër virusit.

“Është një moment Sputnik”, tha Kirill Dmitriev, kryetar i fondit sovran të pasurisë, që është duke e financuar hulumtimin për vaksinën, duke iu referuar lëshimit të suksesshëm të satelitit të parë në botë nga ish-Bashkimi Sovjetik në vitin 1957.

“Amerikanët ishin të befasuar kur e dëgjuan Sputnikun duke bërë zhurmë. Është e njëjta me vaksinën. Rusia do ta arrijë atë e para”, shtoi ai.

Megjithatë, Rusia deri më tani nuk ka publikuar të dhëna shkencore për testimin e vaksinës së saj dhe nuk dihet nëse ajo do të jetë efektive. Kritikët thonë se nguti për zbulimin e vaksinës vjen nga presioni politik i qeverisë ruse, e cila është e interesuar që ta paraqesë vendin si fuqi shkencore botërore.

Për më tepër, ka shqetësime se testimi i kësaj vaksine në njerëz nuk është i kompletuar.

(Kosova Sot Online)