Mbyllet me tensione raportimi i Agim Veliut, Rexhep Selimi e Mulhaxha të ashpër ndaj ministrit të LDK-së

  • E.K /
  • 29 July 2020 - 11:22
Mbyllet me tensione raportimi i Agim Veliut, Rexhep Selimi e Mulhaxha të ashpër ndaj ministrit të LDK-së

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, sot ishte ftuar që të raportonte para Komisionit të Kuvendit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Megjithatë, një mbledhje e tillë ka përfunduar para kohe, meqë Veliu ua ka konfirmuar anëtarëve të Komisionit që nuk do të mundë të qëndrojë më gjatë se 45 minuta në raportim si pasojë e mbledhjes së Qeverisë.

Një fakt i tillë e ka nervozuar deputetin e VV-së, Rexhep Selimi, i cili ka thënë se 45 minuta janë të pamjaftueshëm për raportim.

“Ju lutem z.Veliu, nuk jeni në konferencë për shtyp me folë 45 minuta, por jeni para Komisionit. Është e papranueshme me ardhë me bo shou këtu për 45 minuta”, ka thënë Selimi.

Veliu i është përgjigjur menjëherë duke i thënë se e di se ku është dhe çfarë bën.

“Z. Selimi hiç mos u merakosni për atë punë”, ka thënë Veliu.

Kryetarja e këtij Komisioni, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, e ka marrë fjalën teksa ka treguar se ka qenë e pamundur që të ketë një koordinim sa i përket kohës së raportimit prej 45 minutave, dhe ka treguar se ka pasur mospajtime brenda anëtarëve të Komisionit rreth asaj nëse do të duhet të mbahet mbledhja e Komisionit ose jo.

Ganimete Musliu e PDK-së ka thënë se Mulhaxha e ka organizuar në këtë mënyrë një raportim të tillë me qëllimin e vetëm për të dështuar.

Në fund është mbyllur mbledhja dhe Agim Veliu është shprehur i gatshëm të raportojë në një rast tjetër kurdo që ftohet.

(Kosova Sot Online)