Kosova në hartën e Serbisë, MPJ finlandeze i reagon gazetës më të madhe në Finlandë

  • E.K /
  • 29 July 2020 - 12:08
Kosova në hartën e Serbisë, MPJ finlandeze i reagon gazetës më të madhe në Finlandë

Politikani finlandez, Kai Sauer, i cili është edhe nën-sekretar shteti për çështje të punëve të jashtme dhe politikave të Sigurisë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ka reaguar ndaj një grafike të realizuar nga mediumi më i madh finlandez “Helsingin Sanomat”, në të cilën Kosova paraqitet në hartë si pjesë e Serbisë.

Sauer ka falënderuar mediumin finlandez për hartimin e një tabele të tillë, megjithatë ka rikujtuar se Finlanda e ka pranuar pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe se shteti i Kosovës duhet të jetë në atë hartë.

Aq më shumë sipas tij, që situata pandemike në Kosovë është tepër e rënduar.

“Përgëzime për grafikun, por Kosova është shtet i pavarur i pranuar nga Finalda dhe duhet të paraqitet në hartë. Edhe më tepër kur situata me coronavirus në Kosovë është prej më të rënduarave në botë”, ka shkruar Sauer.

Në grafikun e që Sauer ka publikuar gjenden të dhënat për rritjen e rasteve të infektimeve me COVID-19. Në tabelë Kosova nuk është shfaqur fare, derisa në hartë është vendosur si pjesë e Serbisë.

(Kosova Sot Online)