Studimi me majmunë, lajm i mirë për vaksinën amerikane kundër Covid-19

  • E.K /
  • 29 July 2020 - 12:22
Studimi me majmunë, lajm i mirë për vaksinën amerikane kundër Covid-19

Një studim i kryer me majmunë tregon se vaksina eksperimentale kundër koronavirusit e kompanisë “Moderna” mund të ofrojë mbrojtje kundër sëmundjes dhe mund ta zvogëlojë rrezikun e përhapjes së virusit.

Kjo kompani e filloi fazën e tretë të testimit të vaksinës të hënën. Ky ishte hapi më i shpejtë që është bërë ndonjëherë për zhvillimin e një vaksine në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, zhvillimi i shpejtë i vaksinës nënkupton që ajo nuk është testuar gjerësisht në kafshë para se të testohej në njerëz.

Megjithatë, një ekip i Institutit Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Ngjitëse e ka testuar vaksinën në majmunë. Më pas, ata i infektuan majmunët me koronavirus për shkak se ky eksperiment do të ishte vështirë të kryhej në njerëz në aspektin etik, shkruan “CNN”.

Ndonëse majmunët u infektuan, duket se vaksina ka ndërhyrë në përhapjen e virusit në kafshë, thuhet në raportin e këtij ekipi, të publikuar në revistën “The New England Journal of Medicine”.

“Në mënyrë të jashtëzakonshme, pas dy ditësh, nuk është vërejtur riprodhim i virusit në shtatë nga tetë majmunët në dy grupet e të vaksinuarve, përderisa tetë majmunët e tjerë që nuk u ishte dhënë vaksina vazhduan të kenë riprodhim të virusit në mushkëri”, thuhet në deklaratë.

Për më tepër, asnjëri nga majmunët që mori dozë më të madhe të vaksinës nuk kishte shenja të virusit në hundë. Kjo lë të kuptohet se vaksina mund ta parandalojë përhapjen e virusit, edhe nëse njerëzit infektohen.

Hulumtuesit theksuan se nuk është e qartë nëse majmunët reagojnë ndaj virusit njësoj si njerëzit, por vërejtën se virusi shumohet në hundët e majmunëve pothuajse në mënyrën e njëjtë si te njerëzit.

(Kosova Sot Online)