Gjermania thotë se ka kapacitete për t’i testuar të gjithë udhëtarët që kthehen

  • E.K /
  • 29 July 2020 - 15:33
Gjermania thotë se ka kapacitete për t’i testuar të gjithë udhëtarët që kthehen

Zëdhënësja e Ministrisë së Shëndetësisë në Gjermani, Teresa Nauber, ka thënë se ky shtet ka kapacitete për t’i testuar për koronavirus të gjithë personat që kthehen nga vendet e huaja.

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, ka thënë se të gjithë udhëtarët që kthehen në Gjermani nga shtetet që qeveria i cilëson si zona me rrezik të lartë do të jenë të detyruar të testohen për koronavirus duke filluar nga java e ardhshme.

Sipas kësaj ministrie, testet do të jenë falas për udhëtarët, sepse shpenzimet për këtë aspekt do t’i mbulojë qeveria qendrore. Vendi ka plane që të ofrojë testim falas edhe për udhëtarët që vijnë nga vende me rrezik më të ulët, përfshirë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, shkruan “BBC”.

Zëdhënësja e Ministrisë së Shëndetësisë shtoi se qeveria planifikon ta ketë të rregulluar planin për testim falas para fundit të kësaj jave, ndërsa testimi obligativ pritet të fillojë javën e ardhshme.

Vendimi për testim të detyrueshëm erdhi pasi instituti për sëmundje ngjitëse “Robert Koch” shprehi shqetësim të thellë për rritjen e numrit të rasteve të koronavirusit në Gjermani, e cila, sipas shkencëtarëve, është shkaktuar pjesërisht edhe nga udhëtarët e infektuar që janë kthyer nga vendet tjera.

(Kosova Sot Online)