Kryeministri Hoti: Isha në ndeshje si pjesë e ceremonisë zyrtare, s’pati shikues

  • G.G /
  • 30 July 2020 - 11:45
Kryeministri Hoti: Isha në ndeshje si pjesë e ceremonisë zyrtare, s’pati shikues

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka konfirmuar se ishte i pranishëm në stadiumin Fadil Vokrri për ndeshjen finale mes Prishtinës dhe Ballkanit, vetëm si i ftuar zyrtarisht për të marrë pjesë në ceremoninë përmbyllëse të garës, pas reagimeve se mori pjesë në një ndeshje të zhvilluar prapa dyerve të mbyllura.

Prishtina e mundi 1:0 Ballkanin falë golit të Otto John, në një ndeshje që duhej të zhvillohej pa tifozë të mërkurën, për shkak të vendimit të qeverisë për moslejimin e tifozëve në stadiume shkaku i pandemisë Covid-19, por pjesa perëndimore e Fadil Vokrrit ishte pothuajse e mbushur.

Përveç kryeministrit Hoti, të pranishëm në stadium dhe pastaj në ceremoni ishin edhe figura të tjera, si presidenti Hashim Thaçi, ministrja e Sportit Vlora Dumoshi dhe zyrtarë të FFK-së.

Po ashtu, kishte edhe shumë pjesëtarë të klubeve finaliste, pavarësisht vendimin të qeverisë që e ndalin grumbullimin e më shumë se pesë personave në një vend.

I pyetur nga gazetarët të enjten përse ishte i pranishëm në ndeshje, kryeministri Hoti tha se ishte aty për ceremoninë përmbyllëse.

“Nuk ka pasur shikues, ka qenë ceremoni zyrtare e përmbylljes”, tha Hoti.

Falë këtij triumfi, Prishtina do të ketë mundësi të luajë në Ligën e Evropës, garën dytësore evropiane për klube, nëse arrin sukses në kualifikimet që nisin muajin e ardhshëm. 

(Kosova Sot Online)