Presidenti Thaçi pret ambasadorin e ri gjerman: Berlini adresë e rëndësishme e Kosovës në Evropë, presim vizat

  • G.G /
  • 30 July 2020 - 11:53
Presidenti Thaçi pret ambasadorin e ri gjerman: Berlini adresë e rëndësishme e Kosovës në Evropë, presim vizat

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde. Presidenti Hashim Thaçi me ambasadorin e ri ka folur edhe për liberalizimin e vizave ku është shprehur optimist kjo do të ndodhë gjatë presidencës gjermane të BE’së.

Thaçi i ka uruar suksese ambasadorit të ri gjerman në misionin e ri në Kosovë.

“Gjermania është adresë e rëndësishme politike e Kosovës në Evropë. Jemi mirënjohës për mbështetjen që populli gjerman ka dhënë në procesin e lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në këtë takim është biseduar edhe për sfidat për tejkalimin e pandemisë COVID-19.

Nga ana tjetër, ambasadori i ri gjerman, Jörn Rohde, ka theksuar se Gjermania do ta vazhdojë mbështetjen për Kosovën edhe në të ardhmen.

Presidenti Thaçi është shprehur optimist se gjatë kryesimit të Bashkimit Evropian nga ana e Gjermanisë do të mund të jetësohet edhe liberalizimi i vizave për qytetarët tanë, pasi që Kosova tash e disa vjet i ka plotësuar të gjitha kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian.

(Kosova Sot Online)