Një diplomat çek emërohet Përfaqësues i BE’së në Kosovë

  • E.K /
  • 30 July 2020 - 15:17
Një diplomat çek emërohet Përfaqësues i BE’së në Kosovë

Diplomati çek Tomash Szunyog,  është emëruar nga Këshilli Evropian në pozitën e përfaqësuesit të ri special të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Mandati i tij do të nis më 1 shtator dhe do të përfundojë më 31 gusht të vitit të ardhshëm.

Szunyog do ta zëvendësojë Natalya Apostolovan, e cila ka mbajtur këtë pozitë nga 20 korriku i vitit 2016.

Përfaqësuesi Special i BE-së promovon një Kosovë që është e përkushtuar për sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e pakicave dhe trashëgimisë kulturore dhe fetare, thuhet në njoftimin e Këshillit Evropian, raporton rel.

Përfaqësuesi Special i BE-së, thuhet në njoftim, mbështet edhe perspektivën evropiane të Kosovës dhe afrimin me BE-në, në përputhje me perspektivën e rajonit dhe në përputhje me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Szunyog ka punuar edhe më parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pasi ka shërbyer si ambasador i Çekisë në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Slloveni.

(Kosova Sot Online)