Xhamitë thatë, rrugët bosh, kështu po festohet Kurban Bajrami këtë vit

  • E.K /
  • 31 July 2020 - 08:01
Xhamitë thatë, rrugët bosh, kështu po festohet Kurban Bajrami këtë vit

Besimtarët myslimanë në të gjithë botën kremtojnë sot festën e Kurban Bajramit.

Besimtarët në Kosovë sot festojnë pa faljen e namazit nëpër xhami për shkak të rrezikut të përhapjes së pandemisë Covid-19.

Përfaqësues të institucioneve shtetërore e fetare, kanë bërë thirrje që si rezultat i situatës së krijuar me pandeminë Covid-19, kjo festë të kalojë pa vizita familjare e tradicionale.

Përveç ezanit, në Xhaminë e Madhe, që herët e kaluara ishte epiqendra e kësaj feste, nuk është parë lëvizje e besimtarëve.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në një adresim para mediave gjatë së enjtes ka konfirmuar se për shkak të gjendjes së rënduar me Covid-19 nuk do të falet namazi i Kurban Bajramit nëpër xhamitë e Kosovës.

Po ashtu për 10 ditë do të pezullohen edhe namazet nëpër xhamitë e vendit. Ai ka thënë se këtë hap e kanë ndërmarrë për të

ruajtur shëndetin publik. Po ashtu Tërnava ka bërë apel që të mos ketë as vizita familjare.

“BIK-u ka analizuar situatën e cila po mbretëron edhe në Kosovën tonë e goditur pamëshirshëm nga ky virus Covid-19, edhe në mbledhjen e fundit të kryesisë së saj u diskutua rreth këtij problemi kaq të madh që tashmë është prezent edhe në mesin e qytetarëve tanë. Andaj BIK-u lajmëron të gjithë besimtarët se pezullohet falja e namazit të Kurban Bajramit dhe për 10 ditë rend pezullohen faljet nëpër xhamitë e Kosovës. Sigurisht me të vetmin qëllim që të ruhet shëndeti i qytetarëve të Kosovës”, tha ai.

Tërnava tha se ky është një ndër vendimet më të dhimbshme që ka ndërmarr BIK-u, por që është mëse i duhur, në këtë kohë pandemie. Ai tha se ruajtja e shëndetit publik është edhe obligim hyjnor.

“Është një vendim i dhimbshëm për BIK-un, mirëpo një vendim me vend ngase kemi prioritetin edhe ne si BIK që të ruajmë shëndetin publik të qytetarëve sepse kështu na mëson Kurani, kështu na mëson Muhamedi a.s. E lus Zotin me këtë rast që të gjithë ata që kanë vdekur edhe nga virusi Covid-19 t’i mëshirojë me mëshirën e Tij. Ata të cilët janë të prekur me këtë virus t’i shërojë e neve të na mundësojë të gjithëve që të respektojmë rregullat të cilat dalin nga qeveria e Kosovës, MSh-ja, IKSHP-ja dhe BIK-u që të kemi sa më pak të infektuar”, tha ai.

Myftiu Tërnava ka ftuar të gjithë qytetarët që të ruajnë karakterin festiv të festës, por në këtë kohë pandemie të kenë më shumë mirëkuptim, disiplinë, solidaritet, mbështetje e përkujdesje për ata që kanë nevojë, e sidomos për ata që po sprovohen më virusin Covid-19.

(Kosova Sot Online)