Urimet e liderëve për Kurban Bajram, të gjithë luten për kujdes ndaj pandemisë

  • E.K /
  • 31 July 2020 - 08:50
Urimet e liderëve për Kurban Bajram, të gjithë luten për kujdes ndaj pandemisë

Liderë institucionalë dhe të partive politike kanë uruar qytetarët e besimit islam për festën e Kurban Bajramit.

Urimi i tyre është përcjell me lutjet për kujdes ndaj pandemisë COVID-19. Ata kanë ftuar qytetarët që sot të kryejnë vizita te të afërmit e tyre.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në urimin e tij të postuar sot në Facebook, ka thënë se të bashkuar mund të kalohet edhe kjo sfidë që po e përcjell vendin dhe botën.

“Një festë me shumë solidaritet, mirëkuptim e harmoni për njëri-tjetrin qoftë ky Kurban Bajram. E kemi kaluar gjithherë të bashkuar, por në këto ditë të vështira nëpër të cilin po kalon populli ynë dhe tërë bota për shkak të pandemisë, këtë herë duhet ta kalojmë duke e ruajtur distancën fizike dhe shëndetin e më të dashurve tanë. Urime të përzemërta të gjithë besimtarëve myslimanë”, ka shkruar Thaçi.

E kryeministri Avdullah Hoti ka uruar që festat e ardhshme të priten në një situatë normale.

“Me fat Kurban Bajrami. Uroj dhe lutem që të keni shëndet të mirë ju dhe familjet tuaja. Dua të besoj se festat e ardhshme do t’i presim në një situatë krejt normale, pa pandemi, me gëzime e me sfidat e zakonshme që ka jeta.

Sot festoni në shtëpitë tuaja dhe lutuni për familjarët, miqtë, vendin dhe mbarë njerëzimin. Duke qëndruar në shtëpi i ndihmojmë heronjtë e vijës së parë të frontit – stafin tonë shëndetësorë, të cilët po përballen me këtë pandemi për gjashtë muaj pa pushim. Edhe sot në këtë ditë feste, ata janë duke u kujdesur për qytetarët në nevojë. T’i respektojmë masat sot, që të festojmë përjetë e mot”, ka shkruar Hoti.

Besimtarët islamë i kanë uruar edhe liderët e partive si Isa Mustafa i LDK-së e Ramush Haradinaj i AAK-së, po ashtu me lutjen për kujdes të shtuar dhe respektim të masave kundër pandemisë.

Me vendim të Bashkësisë Islame të Kosovës, Kurban Bajrami nuk është falur sot nëpër xhami.

(Kosova Sot Online)