Përplasje aeroplanësh, 7 të vdekur në Alaskë, përfshirë një ligjvënës dhe katër të rinj

  • S.A /
  • 01 August 2020 - 09:24
Përplasje aeroplanësh, 7 të vdekur në Alaskë, përfshirë një ligjvënës dhe katër të rinj

Shtatë persona kanë vdekur nga përplasja e dy aeroplanëve të vegjël në Alaskë të Shteteve të Bashkuara. Në mesin e miktimave merret vesh se është edhe Gary Knopp, anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të Alaskës nga radhët e Partisë Republikane. Zyrtari i lartë ishte në rolin e pilotit në njërin prej aeroplanëve të aksidentuar dhe në të ndodhej i vetëm. Në aksidentin që ndodhi afër aeroportit të qytetit Soldotna nuk kishte asnjë të mbijetuar, bënë të ditur Trupat Shtetërore të Alaskës.

Në aeroplanin tjetër ndodheshin katër turistë nga Karolina Jugore, një udhërrëfyes nga Kansasi dhe një pilot nga Alaska, shkruan “Reuters”. Katër prej viktimave ishin të moshës 23, 24, 25 dhe 26-vjeçare. Të gjithë personat u shpallën të vdekur në vendin e ngjarjes, përpos njërit që vdiq gjatë dërgimit në spital, njoftuan autoritetet. Mbetjet e aeroplanëve të aksidentuar ranë edhe në një autostradë, e cila u mbyll për qarkullim për shkak të sigurisë. Aksidenti është duke u hetuar nga Administrata Federale e Aviacionit dhe Bordi Kombëtar për Sigurinë në Transport.

(Kosova Sot Online )