“Godet” përsëri presidenti i Brazilit: Gati të gjithë do të infektoheni, nga çka po tuteni?

  • E.K /
  • 01 August 2020 - 10:33
“Godet” përsëri presidenti i Brazilit: Gati të gjithë do të infektoheni, nga çka po tuteni?

Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, ka vazhduar me deklaratat e tij kundërthënëse në lidhje me koronavirusin.

Të premten, ai tha para një turme të përkrahësve në Rio Grande do Sul se një ditë pothuajse të gjithë do të infektohen me koronavirus, shkruan “The Guardian”.

Sipas gazetës braziliane “Folha”, kreu i vendit më të madh të Amerikës Jugore para përkrahësve tha: “Mjerisht, mendoj se gati të gjithë ju do të infektoheni një ditë. Nga çka po frikësoheni? Përballuni me këtë.”

Bolsonaro, i cili më parë ka dalë pozitiv në testin për koronaviurs, tha të enjten se është duke u trajtuar me antibiotikë për shkak të një infektimi në mushkëri.

Disa ditë më parë, ai doli i shëruar nga Covid-19 pasi u testua për herë të katërt brenda një kohe të shkurtër.

Sipas të dhënave më të reja, Brazili i ka regjistruar gjithsej 92,475 të vdekur nga koronavirusi. Ky shtet është më i prekuri nga pandemia në Amerikën Latine dhe një ndër më të prekurit në tërë botën.

(Kosova Sot Online)