Policia arreston katër persona dhe mbyll pishina e lokale për mosrespektim të masave

  • A.P /
  • 02 gusht 2020 - 13:55
Policia arreston katër persona dhe mbyll pishina e lokale për mosrespektim të masave

Në Gjakovë, Rahovec dhe Skenderaj, Policia e Kosovës raporton se gjatë 24 orëve të fundit, ka arrestuar persona që nuk kanë respektuar masat e vendosura nga autoritetet për të frenuar përhapjen e mëtejme të koronavirusit dhe po ashtu ka mbyllur lokale.

Sipas raportit 24-orësh të policisë, në Gjakovë, në katër raste të ndara, janë arrestuar katër persona, të cilët kishin organizuar ahengje familjare.

Me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit, Qeveria e Kosovës ka ndaluar të gjitha tubimet publike, përfshirë ahengjet familjare private, si dhe grumbullimin e më shumë se pesë personave në sheshe publike, parqe e të tjera.

Ndërkaq, në Rahovec një pronari i një pishine është dërguar në stacion policor për intervistim, pasi në pishinën e tij, policia ka vërejtur 30-40 qytetarë.

Rast i ngjashëm ka ndodhur edhe në Skenderaj, ku policia ka zbrazur pishinën, ku kishte qytetarë dhe pronarin e ka ftuar për intervistim në stacion.

Sipas masave të reja, pishinave të hapura u është ndaluar aktiviteti, por kjo masë nuk vlen për pishinat e mbyllura, të cilat mund të punojnë, në përputhje me rekomandimet e Manualit të Ministrisë së Shëndetësisë për luftën kundër koronavirusit.

Ndërkaq, në Skendaraj, policia ka mbyllur dy lokale, pasi kishin punuar jashtë orarit të lejuar.

Sipas vendimit të qeverisë të datës 28 korrik, lokalet e gastronomisë e kanë të ndaluar që të punojnë pas orës 22:30 deri në orën 5:00.


(Kosova Sot Online)