Larg njëri-tjetrit, kështu po protestojnë infermierët e Kosovës në kohë pandemie

  • E.K /
  • 03 August 2020 - 10:41
Larg njëri-tjetrit, kështu po protestojnë infermierët e Kosovës në kohë pandemie

Infermierët e Kosovës, kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës ku kanë kërkuar që ndërrimi i natës të paguhet 36 euro e jo 18 sa paguhet aktualisht.

Sindikata e Infermierëve, Mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë në mënyrë simbolike  kanë dorëzuar 18 mantelë të bardhë, që simbolizon shumën që kërkuar tu rriten pagat. Kryetarit i kësaj sindikate Fitim Havolli ka thënë se infermierët në përballje me pandminë po tregojnë heroizëm. Sipas tij, infermierët janë të parët që përballen me sëmundjen.

“Përmes kësaj proteste po i drejtohemi qeverisë se njëherë e përgjithmonë ta kthejnë kokën kah shëndetësia dhe ky komunitet që është përballur me COVID-19 pa kursyer veten dhe familjen. Tani jemi këtu për të ju bërë thirrje edhe njëherë Qeverisë se ne jemi një komunitet që duhet të trajtohemi si prioritet. Prej një ndërrimi të natës që është 12 orë, një infermier 11 orë është pranë pacientëve”, tha ai.

Havolli është shprehur se interesimi i infermierëve që të marrin pjese në protestë ka qenë shumë i madh.

“Sot mijëra koleg infermier na kanë thirrë për të marrë pjesë në këtë protestë por duke marrë parasysh gjendjen jemi munduar dhe u kërkoj falje atyre që i kemi kthyer. Kërkesa jonë e drejtë ka qenë që nga 18 eeuro të bëhet 36 euro. Nuk kemi kërkuar rritje të pagave dhe nuk do të merremi tani me rritje dhe paga sepse gjykata kushtetuese ka dhënë një verdikt. Këto kërkesa kanë të bëjnë me një motivim që duhet t’i jepet këtij komuniteti. Javëve të kaluara janë 800 të infektuar”, tha ai.

Infermieret janë vija e parë dhe e fundit që përballet me pandeminë.
“Ne jemi në gjendje lufte dhe të mos i lëmë qytetarët pa kujdesin tonë infermierë”, shtoi Havolli.

(Kosova Sot Online)