Komuna e Mitrovicës sqaron pse nuk vendosi në pllakë emrin e 5-vjeçares me viktimat e tjera

  • E.K /
  • 03 August 2020 - 15:12
Komuna e Mitrovicës sqaron pse nuk vendosi në pllakë emrin e 5-vjeçares me viktimat e tjera

Komuna e Mitrovicës thotë se nuk e kanë vendosur emrin e romes 5-vjecare në pllakë, pasi sipas komunës, ajo nuk është regjistruar si e vrarë nga masakra në tregun e Mitrovicës në vitin 1999, e kryer nga forcat serbe.

Shkelzen Gashi, is-këshilltar i ish-kryeministrit Albin Kurti, ditë më parë i ka reaguar Komunës së Mitrovicës, që ka vendosur një pllakë të gjashtë të vrarëve në tregun e këtij qyteti në vitin 1999.

Gashi ka thënë se në mesin e të vrarëve ka qenë një vajzë rome 5-vjece, por komuna nuk e ka përfshirë në pllakë.

Sipas komunës së Mitrovicës, në shpërthimin në tregun e Mitrovicës, 20 vjet më parë, janë regjistruar gjashtë të vrarë dhe 128 të lënduar.

Reagimi i plotë i komunës:

Komuna e Mitrovicës njofton se e priti me shqetësim reagimin e djeshëm të Shkëlzen Gashit për mungesën e emrit të vogëlushes së ndjerë, Elizabeta Hasani, nga komuniteti rom, në pllakën përkujtimore kushtuar viktimave të masakrës së 13 Marsit 1999 në tregun e Mitrovicës.

 Sipas informatave zyrtare të cilat i kemi pasur deri më tani të siguruara nga zyra rajonale e KMLDNJ-së, dhe zyrës për viktimat e luftës në kuadër të Drejtorisë për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, kanë figuruar 6 të vrarë dhe 128 të plagosur, disa më rëndë e disa më lehtë. Të dhënat e njëjta kanë qëndruar për 20 vite edhe në pllakën e vjetër përkujtimore e cila është zëvendësuar me pllakën e re, pa asnjë reagim.

Komuna e Mitrovicës asnjëherë nuk ka marrë veprime diskriminuese dhe paragjykuese, përkundrazi gjithmonë ka pasur qasje progresive ndaj komuniteteve pakicë në Mitrovicë, gjë që dokumentohet me takime të shpeshta në Komunë dhe në komunitetet, por edhe me investime infrastrukturore në lagjet ku kryesisht jetojnë, dhe jemi komuna e vetme në Kosovë që e kemi Qendrën e Kulturës enkas për komunitete, ku i zhvillojnë aktivitetet e tyre kulturore, debatet mbi forcimin e rolit të gruas e të rinjve dhe integrimin e plotë në shoqëri.

Duam të theksojmë se një vit para ngritjes së pllakës përkujtimore, respektivisht me datë 03.04.2019, kemi bërë thirrje publike përmes web faqes zyrtare të komunës për gjithë ata që kanë informata për viktimat dhe të lënduarit, që të lajmërohen në zyrën tonë për të pasur evidence sa më të plotë.

Gabimi eventual, edhe pse pa fajin e Komunës dhe pa asnjë qëllim, do të përmirësohet pa asnjë hezitim. Po ashtu mendojmë se roli i shoqërisë civile është të këshillojë dhe sugjerojë, e jo të sulmojë pa ndonjë debat paraprak. Tek e fundit as ata nuk mund të i ikin përgjegjësisë për fshehje të faktit krejt këto vite, nëse i kanë pasur në dispozicion”, thuhet në komunikatën për media të kësaj komune.

(Kosova Sot Online)