Kryeministri Hoti u prek i fundit, cilët ishin zyrtarët e shtetit që treguan se u infektuan me COVID-19

  • A.P /
  • 03 August 2020 - 16:31
Kryeministri Hoti u prek i fundit, cilët ishin zyrtarët e shtetit që treguan se u infektuan me COVID-19

Mbi nëntë mijë kosovarë janë infektuar me Covid-19 që nga fillimi i pandemisë. Rreth pesë mijë prej tyre e kanë mposhtur deri tash këtë sëmundje, derisa 256 të tjerë e kanë humbur betejën. Në mesin e të infektuarve ka edhe zyrtarë shtetërorë. I fundit që u infektua është Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti. Por, kush janë zyrtarët e tjerë që rezultuan pozitivë për COVID-19?

Avdullah Hoti është zyrtari i fundit shtetërorë që ka rezultuar pozitiv për COVID-19. Ai ka njoftuar se është testuar dje rreth orës 16:00 dhe se menjëherë pas testimit është izoluar.

Hoti ka thënë se nuk ka shenja apo simptoma përveç një kolle shumë të lehtë.

“Sot e kam bërë testin për covid-19 dhe kam rezultuar pozitiv. Nuk kam shenja, përveç një kollë shumë të lehtë. Nga sonte jam në izolim për dy javët në vazhdim. Do të kryej obligimet nga shtëpia”, ka shkruar Hoti.

Ndërkohë, Zyra e tij sot ka bërë me dije se deri në shërim, ai do të vazhdojë t’i kryejë obligimet e tij nga shtëpia.

Sipas ZKM-së, agjenda e punës e Qeverisë së Kosovës nuk do të ndikohet, meqenëse Hoti do ta koordinojë punën nga shtëpia në konsultim me zëvendëskryeministrat.

Përveç Hotit, pozitivë në testime për COVID-19 kanë rezultuar edhe zyrtarë të tjerë të shtetit.

Një prej zyrtarëve që njoftoi se është infektuar me COVID-19 ishte Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.

Pas tij, nga ky virus u prek edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK’së, Kujtim Shala dhe deputetët Haxhi Avdyli, Visar Hoti, Frashër Demaj dhe ish ministri Lumir Abdixhiku.

Pozitivë për COVID-19 rezultuan edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, deputeti Hajredin Kuçi dhe Abelard Tahiri.

Nga koronavirusi u infektuan edhe disa deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Rasim Selmanaj, Albena Reshitaj, Shpejtim Bulliqi dhe Fitim Uka, njoftuan përmes Facebook’ut se janë të infektuar me këtë virus.

Shumica e tyre kanë njoftuar se janë shëruar tashmë, derisa të tjerët që nuk e kanë kaluar ende këtë sëmundje po vazhdojnë të qëndrojnë në izolim ashtu siç u ka rekomanduar Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Ndryshe, IKSHP’ja sot ka njoftuar se janë konfirmuar edhe 250 raste të reja me koronavirus. Me këtë shifër, numri i rasteve të konfirmuara nga 13 marsi ka arritur në 9049, me gjithsej 256 raste të vdekjeve, të cilët kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruse.

Sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, ka infektuar deri tash në gjithë botën mbi 18 milionë persona.

Ky virus është raportuar fillimisht në Vuhan të Kinës, në fund të vitit të kaluar.

Gjashtë muaj pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur emergjencë globale, të paktën 687,000 persona kanë vdekur në gjithë globin.

Përgjatë fundjavës, kjo organizatë ka thënë se pret “periudhë të gjatë” të përballjes me pandeminë e koronavirusit.

(Kosova Sot Online)