Ish-ministrja e Qeverisë Kurti i kërkon Hotit arsyet e shkarkimeve të bordeve

  • E.K /
  • 04 August 2020 - 14:17
Ish-ministrja e Qeverisë Kurti i kërkon Hotit arsyet e shkarkimeve të bordeve

Ish-ministrja e MEPTINIS (Ministria e Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike), në Qeverinë Kurti, Rozeta Hajdari, ka reaguar pas shkarkimit të bordeve në katër ndërmarrje publike nga Qeveria Hoti.

Thotë se Qeveria Hoti, “po punon për shtetin e kapur dhe kundër kushtetutës e ligjit

Gjithashtu, Hajdari këtë veprim e ka quajtur ndërhyrje në punën e pavarur të bordeve.

“Në vazhdën e papërgjegjësisë, pabesisë dhe shkeljeve ligjore, qeveria Hoti paska shkarkuar bordet e drejtorëve të katër ndërmarrjeve publike: Korporata Energjetike e Kosovës, NPH Ibër-Lepenc, KRU Prishtina, KRU Hidroregjioni Jugor Prizren. Vendimet i ka nënshkruar zëvendësja e Avdullah Hotit, por pa e bërë të qartë se po firmos në emër të tij. Kurse Qeveria, si aksionare, ka nxjerrë vendimet pa bashkëngjitur arsyetimin e shkarkimit. Pse? Sepse ligjërisht ska arsye për shkarkim”, shkruan Hajdari në Facebook.

Hajdari, thotë se shkaqet janë mësuar nga kërkesat e vazhdueshme që ministri përgjegjës Blerim Kuçi, thotë ajo, u ka bërë bordeve: “të pezullojnë konkurset për zyrtarë të lartë të ndërmarrjeve, siç janë kryeshefat dhe zyrtarët kryesorë financiarë”.

Sipas Hajdarit, ligji nuk i lejon aksionarit të merret me këtë çështje.

Hajdari në reagimin e saj thotë gjithashtu se vendimet e qeverisë Hoti “tani shpërfaqin përpjekjet e saj për t’i kapur ndërmarrjet, duke u diktuar drejtorëve se si duhet t’i kryejnë ata detyrat e veta ligjore”.

Hajdari thotë se këto katër ndërmarrje që i kishte emëruar Qeveria Kurti, dhe tash u shkarkuan nga Qeveria Hoti, kishin nisur proceset sipas ligjit dhe me transparencë të plotë, duke u bërë thirrje shoqërisë civile, mediave dhe Ambasadës Britanike që të vëzhgojnë dhe të ndihmojnë me mjetet e tyre.

Por, thotë Hajdari, “Hoti dhe eprorët e tij s’mund të jenë të kënaqur me një ecuri të këtillë; ata kërkojnë me ngulm që në pozita drejtuese të emërohen njerëzit e tyre dhe që vendimmarrja t’u shërbejë zhvatësve e oligarkëve”.

(Kosova Sot Online)