Ministria thotë se bordet e Kurtit u shkarkuan sepse rekrutonin zyrtarë të lartë

  • E.K /
  • 04 August 2020 - 14:42
Ministria thotë se bordet e Kurtit u shkarkuan sepse rekrutonin zyrtarë të lartë

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, në krye me Blerim Kuçin, ka treguar arsyen e shkarkimit të katër bordeve të ndërmarrjeve publike. Sipas MEA’së, shkarkimi i këtyre bordeve është bërë për shkak se se pavarësisht kërkesës së ministrit Kuçi për pezullim të rekrutimeve, ato kanë vazhduar procedurat e rekrutimit të zyrtarëve të lartë.

“Shkarkimi i bordeve të këtyre ndërmarrjeve ka ardhur si pasojë e mos respektimit të rekomandimit dhe kërkesës nga aksionari Qeveria e Kosovës, që ka kompetencë ekskluzive për ushtrimin e të drejtave të aksionarit në Ndërmarrjet Publike Qendrore, duke u mbështetur në Ligjin Nr.03/L-087 për Ndërmarrje Publike dhe Ligjin për Shoqëri Tregtare”, thuhet në komunikatë. 

Në kumtesën për media thuhet se Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, i ka dërguar rekomandim dhe kërkesë ministrit Blerim Kuçi për pezullimin e procedurave të rekrutimit të pozitave të larta në ndërmarrjet publike.

“Në këtë pikë, për shkak të mospezullimit të procedurave sipas kërkesës së aksionarit, ka ardhur shkarkimi i këtyre bordeve të përkohshme dhe zëvendësimi me anëtarë të rinj të përkohshëm të bordeve të katër ndërmarrjeve publike qendrore”, thuhet në komunikatë.

Komunikata e plotë:

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të mbajtur të martën më 3 gusht 2020, ka shkarkuar bordet e përkohshme të katër ndërmarrjeve publike: Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), KRU “Prishtina”, Ndërmarrjes Publike Qendrore NPH “Ibër-Lepenc” dhe KRU “Hidroregjioni Jugor”.

Shkarkimi i bordeve të këtyre ndërmarrjeve ka ardhur si pasojë e mos respektimit të rekomandimit dhe kërkesës nga aksionari Qeveria e Kosovës, që ka kompetencë ekskluzive për ushtrimin e të drejtave të aksionarit në Ndërmarrjet Publike Qendrore, duke u mbështetur në Ligjin Nr.03/L-087 për Ndërmarrje Publike dhe Ligjin për Shoqëri Tregtare.

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, e cila ka përgjegjësi të përfaqësimit të aksionarit në këto ndërmarrje publike, e ka brenda saj Njësinë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike.

Kjo njësi i ka dërguar rekomandim dhe kërkesë ministrit Blerim Kuçi për pezullimin e procedurave të rekrutimit të pozitave të larta në ndërmarrjet publike. Arsyeja e kërkesës për pezullimin ishte që duhet pritur deri në fillimin e zbatimit të marrëveshjes së nënshkruar me Ambasadën Britanike, për asistencë në përzgjedhje meritore të pozitave të larta dhe udhëheqëse në Ndërmarrje Publike Qendrore dhe Agjencione Qeveritare.

Gjithashtu, pasi bordet e përkohshme emërohen, kanë mandat të shkurtë (6-mujor) dhe nuk përzgjidhen me konkurs, ato nuk mund t’i përshtaten objektivave afatgjate të ndërmarrjes duke rekrutuar pozita të rregullta afatgjata të menaxhmentit në ndërmarrjet publike ku veprojnë, siç është tentuar të bëhet.

Pas këtij rekomandimi dhe kërkese, ministri Kuçi u ka dërguar menjëherë Ndërmarrjeve Publike Qendrore kërkesë që të pezullojnë përkohësisht këto procedura të rekrutimit, deri në fillim të zbatimit të marrëveshjes me Ambasadën Britanike.

Kjo kërkesë e ministrit është injoruar totalisht që të zbatohet, madje jo vetëm njëherë.

Të katër bordet e përkohshme të ndërmarrjeve publike: Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), KRU “Prishtinës”, Ndërmarrjes Publike Qendrore NPH “Ibër-Lepenc” dhe KRU “Hidroregjioni Jugor”, që tashmë janë shkarkuar nga Qeveria e Kosovës, përkundër kërkesës së ministrit Blerim Kuçi kanë vazhduar procedurat e rekrutimit të zyrtarëve të lartë.

Në këtë pikë, për shkak të mospezullimit të procedurave sipas kërkesës së aksionarit, ka ardhur shkarkimi i këtyre bordeve të përkohshme dhe zëvendësimi me anëtarë të rinj të përkohshëm të bordeve të katër ndërmarrjeve publike qendrore.

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit është e përkushtuar në zbatimin e marrëveshjeve me organizatat jo-qeveritare dhe ambasadat, që pozitat udhëheqëse në ndërmarrje publike dhe bordet e këtyre ndërmarrjeve të jenë profesionale dhe meritorë.

Ministri Blerim Kuçi fton të gjitha organizatat jo-qeveritare, organizatat ndërkombëtare, ambasadat dhe mediat të jenë mbikëqyrës të përzgjedhjes së bordeve të rregullta dhe pozitave drejtuese.

(Kosova Sot Online)