Shoqata e mjekëve gjermanë thotë se Gjermania është në valën e dytë të virusit

  • E.K /
  • 04 August 2020 - 15:37
Shoqata e mjekëve gjermanë thotë se Gjermania është në valën e dytë të virusit

Sipas një shoqate të mjekëve në Gjermani, ky shtet tashmë është futur në fazën e dytë të koronavirusit.

“Ne tashmë jemi në një valë të dytë të rritjes së infektimeve”, tha Susanne Johna, kryetare e shoqatës Marburger Bund në një intervistë për gazetën Augsburger Allgemeine.

Gjermania ka shënuar rritje të numrit të rasteve ditore ditëve të fundit, duke shkaktuar alarm te politikanët dhe ekspertët shëndetësorë, të cilët po bëjnë thirrje për respektim më të madh të distancës dhe higjienës, shkruan “CNN”.

“Ekziston rreziku që t’i humbim sukseset që i kemi arritur deri më tash në Gjermani për shkak të injorimit të realitetit dhe dëshirës së madhe për normalitet”, shtoi zonja Johna.

Shoqata Marburger Bund beson se sistemi spitalor i Gjermanisë tash për tash është mirë i përgatitur për ta përballuar rritjen e numrit të infektisoneve pasi shteti i shtoi kapacitetet në repartet e kujdesit intensiv.

Megjithatë, Johna i paralajmëroi qytetarët që të mos vetëkënaqen. “Ne të gjithë po vuajmë për normalitet, por po vazhdojmë të jetojmë në një situatë që thjesht nuk është normale”, tha ajo.

Instituti gjerman për sëmundje ngjitëse “Robert Koch” ka njoftuar se gjatë 24 orëve të kaluara në Gjermani janë shënuar tetë të vdekur nga koronavirusi dhe 879 raste të reja të infektimeve.

(Kosova Sot Online)