Vjen lajmi nga Ministria: Hiqni dorë nga grumbullimet dhe festat

  • A.P /
  • 04 August 2020 - 21:57
Vjen lajmi nga Ministria: Hiqni dorë nga grumbullimet dhe festat

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka dalë sërish në një mesazh publik drejtuar qytetarëve për të theksuar kujdesin dhe vigjilencën që duhet të ketë secili prej nesh në keto ditë kur virusi ka marrë përhapje më të gjerë. Manastirliu tha se ka filluar përgatitja për të përballuar situatën e vjeshtë-dimrit në disa drejtime.

Por u ka drejtuar një apel qytetarëve për t’u përshtatur me normalitetin e ri duke respektuar me rigorozitet rregullat dhe protokollet. Manastirliu tha se duhet të heqim dorë nga festat dhe nga ditëlindjet:

“Deri kur kjo pandemi të jetë mposhtur, kërkohet të heqim dorë nga grumbullimet dhe nga festat që shumë herë, dhe e kemi këtë të evidentuar, janë kthyer në vatra kryesore të përhapjes së infeksionit. Normaliteti i ri kërkon ta shohim distancimin fizik jo si një mënyrë për t’u larguar nga të dashurit, por si një mjet për t’u treguar edhe më fort dashurinë, duke i mbrojtur. Normaliteti i ri kërkon të përdorim maskën kudo, në çdo ambient të mbyllur, tashmë vendosur me ligj dhe kudo ku distancimi është i pamundur. Kërkon të zbatojmë rregullat e higjienës kudo, në çdo çast, kudo ku ne të mundemi. Normaliteti i ri kërkon nga ne fare pak, shumë shumë pak! Të gjithë bashkë, duke respektuar rregullat e thjeshta por jetëshpëtuese mund t’ia dalim! Asnjëherë nuk është vonë për të bërë gjënë e duhur! Filloje dhe ti nga vetja! Filloje sot”

Manastirliu ka theksuar se puna për përballimin e epidemisë po vijon dhe nuk është ndalur prej më shumë se 140 ditësh me të gjitha kapacitetet e sistemin shëndetësor, nga epidemiologët në terren deri tek mjekët dhe infermierët që po përballen në vijën e parë me COVID-19.

(Kosova Sot Online)