Epidemiologu serb: Numri i të vdekurve në Bujanoc është i madh, shqiptarët e Luginës po trajtohen në Kosovë

  • A.P /
  • 05 August 2020 - 16:54
Epidemiologu serb: Numri i të vdekurve në Bujanoc është i madh, shqiptarët e Luginës po trajtohen në Kosovë

Epidemiologu serb, Branislav Tidoroviq, ka thënë se numri i të infektuarve me COVID-19 në Luginën e Preshevës është më i lartë në krahasim me të dhënat zyrtare. Sipas tij, kjo për shkak se shumë qytetarë të Preshevës dhe Bujanocit, të infektuar me COVID-19, po trajtohen në Kosovë.

Tidoroviq, i cili është edhe anëtar i shtabit të Krizave në Republikën e Serbisë, u shpreh kështu në një vizitë që i bëri komunës së Bujanocit, e ku u takua me kryetarin e komunës, Nagip Arifi.

“Numri i vërtetë i të infektuarve me virus nuk është i njohur në Bujanoc dhe Preshevë, dhe ky është problemi më i madh sepse nuk kemi një vlerësim real të situatës. Ata shpesh shërohen nëpër ordinancat private në Kosovë. Kurse një numër i madh i njerëzve në këto dy qytete po trajtohen vetëm në shtëpi. Kjo është arsyeja pse ndodhin komplikime dhe ata përfundojnë në një gjendje të rëndë në spital”, ka thënë Todoroviq.

Ai ka deklaruar se numri i të vdekurve në komunën e Bujanocit është i madh.

“12 njerëz të vdekur nga koronavirusi është një numër i madh ky për Bujanocin. Është një tragjedi” ka thënë ai.

Të dhënat zyrtare në këtë komunë tregojnë se 140 persona janë të infektuar me COVID-19 në komunën e Bujnovcit kure deri tani janë ekzaminuar 2 mijë e 32 pacientë.

Kurse shtabi për situata të jashtëzakonshme në mbledhjen që ka mbajtur sot ka vendosur që tregu i gjelbër dhe i kafshëve duhet të mbyllen kurse bastoreve, kazinove dhe lojërave të fatit u ndalohet puna pas orës 21:00.

Edhe personeli shëndetësor i Spitalit Rajonal të Gjilanit ka konfirmuar se kanë trajtuar banorë të Preshevës e Bujanocit. Sipas tyre, këta banorë udhëtojnë nga Lugina e Preshevës për në Kosovë për të marrë trajtimin shëndetësor. Personeli shëndetësor ne Gjilan ka deklaruar se pacientët e shtrirë nga Presheva dhe Bujanoci kanë deklaruar se në këto dy komuna nuk ka përkujdesje të duhur shëndetësore.

(Kosova Sot Online)