Biden do ta pranojë virtualisht nominimin për president

  • S.A /
  • 06 August 2020 - 12:04
Biden do ta pranojë virtualisht nominimin për president

Joe Biden ka anuluar planet për pranim të nominimit presidencial nga ana e demokratëve në Milluaki më vonë gjatë këtij muaji për shkak të shqetësimeve rreth koronavirusit.

Fushata e Bidenit ka thënë më 5 gusht se ish-nënpresidenti amerikan do të realizojë fjalimin e tij të pranimit të nominimit nga shtëpia e tij në Delauer.

Ky njoftim e kthen konventën e demokratëve, që do të mbahet nga 17 deri më 30 gusht, në organizim virtual.

Shumica e demokratëve do të mbajnë fjalime në këtë konventë po ashtu në formë virtuale, derisa vetëm zyrtarët e Viskonsin do të mund të mbajnë fjalime në qendrën në Milluaki.

Konventat e partive janë ngjarje të rëndësishme në politikën amerikane, pasi aty delegatët edhe formalisht nominojnë kandidatin presidencial të partisë për zgjedhjet e 3 nëntorit.

Ato po ashtu shfrytëzohen nga kandidatët për të qenë më afër me milionë votues.

Demokratët janë duke synuar të shpërfaqin një qasje më serioze ndaj krizës publike shëndetësore, për dallim nga ajo që e konsiderojnë si qasje të rrezikshme të presidentit amerikan, Donald Trump ndaj pandemisë me koronavirus.

Më 5 gusht, edhe Trump ka thënë se është duke shqyrtuar mundësinë që më 27 gusht, fjalimin për pranim të nominimit nga ana e republikanëve ta marrë nga Shtëpia e Bardhë, ndonëse ka dilema nëse një gjë e tillë do të shkelte normat etike.

Trump pati bartur konventën në Florida për shkak të rregullave për distancim fizik në Karolinën Veriore, ku ishte planifikuar të mbahej fillimisht konventa e republikanëve.

Mirëpo Trump ka anuluar më vonë edhe këto plane meqë numri i të infektuarve me koronavirus është rritur tejet shumë në Florida.

(Kosva Sot Online )