“Zgjidhja ideale Kosovë -Serbi do të ishte njohja reciproke”

  • E.K /
  • 06 August 2020 - 13:16
“Zgjidhja ideale Kosovë -Serbi do të ishte njohja reciproke”

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, Matthew Palmer në një intervistë për Balkan Insider, një portal me seli në Washington, ka thënë se SHBA e mbështet dialogun e udhëhequr nga BE.

Por, sa i përket zgjidhjes finale të bisedimeve, Palmer thotë se ideale do të ishte që dy palët të merreshin vesh për njohje reciproke.

“Ne jemi të përqëndruar tek mbështetja e një procesi të udhëhequr nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse që çon në normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës që, më idealja, do të kishte në thelb të saj njohjen e ndërsjelltë” ka thënë ai.

Palmer i është referuar edhe cështjes së shkëmbimi të kufijve duke thënë se ajo vetëm e heq vëmendjen nga rruga drejt normalizimit.

“Ngritja e idesë së shkëmbimit të territoreve, mendoj unë, e heq vëmendjen nga synimi qendror, i cili është që palët të ulen, të diskutojnë këto probleme dhe të identifikojnë rrugën përpara drejt normalizimit. Ne e mbështesim këtë proces. Prandaj mendoj se është jashtë teme dhe thjesht shpërqëndruese të diskutohen ide si shkëmbimet territoriale. Me rëndësi është që palët të ecin përpara për një marrëveshje që sjell zgjidhje përfundimtare” ka theksuar diplomati amerikan.

(Kosova Sot Online)