Të gjitha arsyet pse VV e do rrëzimin e Hotit

  • A.P /
  • 06 August 2020 - 18:17
Të gjitha arsyet pse VV e do rrëzimin e Hotit

Pikërisht në kohën kur Covid 19 po bën kërdi ndaj kosovarëve, Lëvizja Vetëvendosje ka nisur të mbledh nënshkrime për rrëzimin e Qeverisë së Avdullah Hotit. Menaxhimi i pandemisë është akuza e parë që LVV’ja e ka listuar si arsye për rrëzimin e Hotit me votë mosbesimi.

Me 31 nënshkrimet e deputetëve të vetë, Lëvizja Vetvëvendosje, ka nisur përpjekjen për rrëzimin e Qeverisë, që u votua më 3 qershor të këtij viti. Deri tash, asnjë parti tjetër nuk ka shprehur gatishmëri për t’iu bashkuar.

LVV’ja e Albin Kurtit i akuzoi partitë që u bashkuan kundër tyre përfshirë edhe partneren e saj LDK’në, se i rrëzuan në kohë pandemie. Tash VV’ja dëshiron t’ia kthej njëjtë Hotit.

Në mocionin që e ka përgatitur LVV’ja të cilin, si pikë e parë renditet dështimi i Qeverisë i menaxhimit të pandemisë.

“Gjatë qeverisjes Kurti numri i qytetarëve që kishin vdekur si pasojë e virusit COVID-19 ishte 30, ndërsa numri i të shëruarve ishte 3,5 herë më i lartë sesa rastet aktive. Nga kjo gjendje, pra të renditur në majat e listës së shteteve për menaxhim të mirë, brenda pak ditësh kjo qeveri e solli vendin me 276 qytetarë të infektuar brenda një dite dhe me shumë të vdekur. Po ashtu e ngritën Kosovën në krye të listave për numrin e të infektuarve dhe të vdekurve”, thuhet në mocionin e LVV’së.

Pastaj, partia e Kurtit, që është fituese e zgjedhjeve të fundit në vend, thotë se Qeveria ka qasje të dëmshme dhe mungesë të strategjisë për dialogun me Serbinë, dhe kjo, sipas LVV’së, është një aryse tjetër pse Hoti duhet të largohet nga pozita. 

LVV’ja akuzon Hotin se ka shkuar në takim me presidentin serb, Aleksandër Vuciq, pa plan dhe pa miratim të Kuvendit.

Po ashtu, e quan antikushtetuese emërimin e Skender Hysenit si koordinator për dialogun.

Sic thuhet në propozim mocion, Hoti ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është obligim, e LVV’ja përmend se marrëveshja e nënshkruar në Bruksel për Asociacion ka përmbajtje antikushtetuese.

“Kryeministri Hoti ka deklaruar që platforma e tij është Kushtetuta, por i njëjti ende pa filluar dialogu me Serbinë hoqi dorë nga sovraniteti vetëm për t’u ulur Serbia në tavolinën e dialogut, duke e vënë Kosovën në pozicion të pabarabartë. Madje z. Hoti ka deklaruar që Asociacioni është obligim, pavarësisht që Gjykata Kushtetuese pati thënë që 23 nene të marrëveshjes për Asociacionin bien ndesh me Kushtetutën”.

Pika e tretë është heqja e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë, të cilat i kishte vënë ish-kryeministri Kurti, pak para se ta lëshonte përfundimisht zyrën e tij.

Ambasadori Richard Grenell, që është emisari i Donald Trumpit për dialogun Kosovë – Serbi, në qershor ka njoftuar se Kosova ka pezulluar përpjekjet e saj për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, si shprehje të vullnetit të mirë pak para takimit që planifikohej të mbahej në Ëashington, në fund të atij muaji.

LVV’ja rendit si një nga arsyet për rrëzim të Qeverisë “heqjen dorë nga lobimi për njohjen e Republikës së Kosovës dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare”.

“Me 15 qershor, kryeministri Hoti, u takua me Presidentin Hashim Thaçi. Menjëherë pas këtij takimi, u njoftuam se qeveria ka hequr dorë nga përpjekja për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Këtë e konfirmoi në emër të Qeverisë vetë Avdullah Hoti”.

Tri aryset e tjera që i shton në listë LVV’ja janë edhe lejimi i zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, qëndrimi i Qeverisë së re ndaj vetingut në drejtësi dhe sharkimi i bordeve të përkohshme në ndërrmarrjet publike që e bëri së fundmi kryeministri Hoti. Ai në fakt shkarkoi bordet që i kishte emëruar Kurti sa ishte kryeministër.

Ndryshe VV’ja njoftoi sot në konferencë për media se nisi mbledhjen e nënshkrimeve. Momentalisht i kanë 31 nënshkrimet e deputetëve të tyre.

Bedri Hamza, shef i Grupit Parlamentar të PDK’së, që është në opozitë bashkë me LVV’në, ka thënë  se akoma nuk e kanë diskutuar brenda partisë nësë do ta përkrahin këtë mocion.

Nisma e AAK’ja, që janë pjesë e koalicionit qeverisës, kanë dalë kundër këtij mocioni.

Sipas nenit 100 të Kushtetutës së Kosovës, Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë mund të ngrihet me propozimin e një të tretës (1/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Qeveria rrezohet me shumicën e thjeshtë votave në Kuvend. 


(Kosova Sot Online)