Imazhi që ka prekur botën: Infermierja është bërë simbol i tragjedisë në Bejrut

  • E.K /
  • 07 August 2020 - 13:44
Imazhi që ka prekur botën: Infermierja është bërë simbol i tragjedisë në Bejrut

Sahar Fares, një infermiere 24-vjeçare, është bërë simbol i fatkeqësisë që ndodhi në Bejrut. Ajo ishte në mesin e zjarrfikësve të vdekur në shpërthimet që ndodhën në kryeqytetin libanez, ku familja dhe i fejuari i saj i përgatitën një “dasmë” për të që nuk do ta ketë kurrë.

Gjithçka u bë saktësisht siç ndodh në dasmat libaneze, vetëm këtë herë nusja ishte në arkivol. Muzikantët në rrobat e arta ceremoniale luanin ndërsa zjarrfikësit mbanin në supe një arkivol gjersa anëtarët e familjes hodhën petale trëndafili dhe oriz.

I fejuari i saj, Gilbert Karaan u bart mbi supe ndërsa përshëndeti të dashurën e tij në lot.

“Gjithçka që dëshirove do të bëhet, por vetëm ju nuk do të jeni në vello të bardhë. Më ke thyer zemrën, dashuria ime. Jeta nuk ka shije që kur ke ikur”, ka shkruar Karaan në mediat sociale para ceremonisë.

Sahar e thirri të martën të fejuarin e saj për t’i treguar rreth zjarrit të madh që shpërtheu në portin detar. Meqenëse askush nuk kishte nevojë për ndihmë mjekësore në atë kohë, ajo ishte ulur në kamionin duke parë kolegët që po luftonin me zjarrin. Ndërsa zjarri u rrit, ajo doli nga kamioni për t’i treguar më mirë të fejuarit se çfarë po ndodhte. Ajo i tha se dëgjonte tinguj të çuditshëm që nuk i kishte dëgjuar kurrë më parë. I fejuari iu lut që të qëndronte larg, gjë që ajo e bëri, por ishte shumë vonë. Një shpërthim i madh pasoi, shkruan NY Times.

“Nusja ime e bukur. Dasma jonë do të zhvillohej më 6 qershor 2021. Në vend të kësaj do të jetë nesër. Unë të kam dashur, të dua dhe do të të dua gjithmonë. Deri sa të ribashkohem me ty dhe të vazhdojë rrugëtimin tonë të përbashkët”, shkroi më tutje ai.

Trishtimi për fatin tragjik të Sahares u shpreh në mediat sociale nga e gjithë bota, duke e quajtur atë një nuse libaneze.

(Kosova Sot Online)