I shiti armë Armenisë, tash Serbia provon të përmirësojë raportet me Azerbajxhanin

  • A.P /
  • 07 August 2020 - 17:47
I shiti armë Armenisë, tash Serbia provon të përmirësojë raportet me Azerbajxhanin

Serbia po përpiqet të përmirësojë marrëdhëniet me Azerbajxhanin, pasi Beogradi i kishte shitur armë rivalit të saj, Armenisë.

Shitja e armëve është çështje e ndjeshme pasi që konflikti afatgjatë në mes Azerbajxhanit dhe Armenisë së fundmi shpërtheu në përleshje të armatosura, shkruan Al Jazeera.

Në një bisedë telefonike me homologun e tij nga Azerbajxhani, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq e theksoi “miqësinë” dhe “partneritetin strategjik” me këtë shtet të pasur me naftë, sipas një deklarate nga presidenca.

Vuçiqi i bëri thirrje presidentit të Azerbajxhanit Ilham Aliyev për një vizitë zyrtare dhe dërgoi një të dërguar special për në Baku “për përgatitje të takimit”.

Mosmarrëveshja ndodhi në korrik kur doli se Serbia po shiste mortaja dhe municion kundërshtarit të Azerbajxhanit, Armenisë gjatë një shpërthimi të dhunës

Këto dy shtete ish-sovjetike janë të bllokuara në një konflikt me dekada për shkak rajonit Nagorno-Karabakh.

Serbia në fillim e mbrojti shitjen e armëve si legale, por pastaj Presidenti Vuçiq e përshkroi marrëveshjen si “vendim të gabuar”.

Azerbajxhani është një aleat i rëndësishëm për Serbinë, ngase ky shtet përkrah Serbinë në mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Disa nga kompanitë që kanë eksportuar armë për Armeninë që nga viti 2018 thuhet se janë nën kontrollin e Sllobodan Tesiqit, shitës i armëve që është në listën e zezë të OKB-së, sipas mediave lokale hulumtuese.

(Kosova Sot Online)