Gjermania dhe Franca tërhiqen nga bisedimet për reformimin e OBSh-së pas tensioneve me ShBA-në

  • S.A /
  • 08 August 2020 - 09:13
Gjermania dhe Franca tërhiqen nga bisedimet për reformimin e OBSh-së pas tensioneve me ShBA-në

Gjermania dhe Franca janë tërhequr nga negociatat për reformimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për shkak të zemërimit nga përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për t’i udhëhequr këto bisedime, pavarësisht vendimit për t’u larguar nga kjo organizatë.

Ky zhvillim paraqet hap prapa për presidentin amerikan, Donald Trump, në kohën kur Uashingtoni e ka udhëheqësinë e Grupit G7 dhe kur ai kishte shpresuar për ta caktuar rrugën e reformave të mëdha në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në shtator, dy muaj para zgjedhjeve presidenciale.

Shtetet e Bashkuara e njoftuan OBSh-në në korrik se pasnjë viti do të largohen nga kjo organizatë pasi kreu i Shtëpisë së Bardhë e akuzoi atë për lidhje shumë të ngushta me Kinën dhe keqmenaxhim të situatës me pandeminë, shkruan Reuters.

Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka mohuar këto akuza. Edhe qeveritë evropiane e kanë akuzuar këtë organizatë, por nuk kanë shkuar aq larg sa Shtetet e Bashkuara. vendimi i Parisit dhe Berlinit për t’u larguar nga bisedimet erdhi pas tensioneve për atë që ata i quajne përpjekje të Uashingtonit për të mbizotëruar në negociata.

Ministritë e Shëndetësisë në Gjermani dhe Francë konfirmuan për agjencinë Reuters se vendet e tyre janë kundër që Shtetet e Bashkuara t’i udhëheqin këto bisedime pas publikimit të qëllimit për t’u tërhequr nga OBSh-ja.

Një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë në Itali tha se puna në dokumentin e reformave ende është duke vazhduar, por shtoi se pozicioni i Italisë është në të njëjtën vijë me atë të Gjermanisë dhe Francës.

(Kosova Sot Online )