ShBA-ja i vendos sanksione kryetares së Hong Kongut, Carrie Lam

  • A.P /
  • 08 August 2020 - 09:54
ShBA-ja i vendos sanksione kryetares së Hong Kongut, Carrie Lam

Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara ka vendosur sanksione ndaj kryetares së Hong Kongut, Carrie Lam, dhe dhjetë zyrtarëve të lartë nga Hong Kongu dhe Kina.

Sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin, tha se këto sanksione kanë për shënjestër ata që e kanë minuar autonominë e Hong Kongut, shkruan BBC. “Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me popullin e Hong Kongut”, tha ai.

Ky vendim erdhi disa javë pasi Kina miratoi një ligj kundërthënës të sigurisë për Hong Kongun, për të cilin kritikët kanë thënë se ia rrezikon liritë vendit me autonomi të pjesshme.

Në mesin e personave të goditur nga sanksionet janë komisioneri policor i Hong Kongut dhe disa sekretarë politikë.

Departamenti i Thesarit e akuzoi drejtpërdrejt zonjën Lam për zbatim të politikave të Pekinit për shtypjes e lirisë dhe proceseve demokratike.

Të shtunën, qeveria e Hong Kongut e cilësoi vendimin për sanksione si ndërhyrje barbare në punët e brendshme të Kinës duke e përdorur Hong Kongun si peng.

Në bazë të këtyre sanksioneve, 11 zyrtarëve do t’u konfiskohen të gjitha pronat në Shtetet e Bashkuara dhe do t’u ngrihen asetet financiare.

(Kosova Sot Online)