Makroni akuzohet për përpjekje për ta ripushtuar Libanin përmes vizitës së tij

  • A.P /
  • 08 August 2020 - 14:39
Makroni akuzohet për përpjekje për ta ripushtuar Libanin përmes vizitës së tij

Presidenti francez, Emmanuel Macron, është akuzuar për përpjekje për ta ripushtuar Libanin më shumë sesa për ta ndihmuar atë pas shpërthimit të tmerrshëm që la të vdekur rreth 150 persona.

Këto akuza erdhën kur Libani pritet t’i refuzojë ndihmat humanitare nga Izraeli për shkak se dy vendet fqinje ende janë teknikisht në luftë, shkruan Daily Mail.

Gjatë vizitës që bëri në Bejrut gjatë kësaj jave, presidenti francez i ngushëlloi shumë njerëz, duke premtuar se do ta rindërtojë qytetin dhe pretendoi se shpërthimi e ka prekur në zemër Francën.

“Franca kurrë nuk do ta lë Libanin të shkojë. Zemra e popullit francez ende rrah me pulsin e Bejrutit”, tha kreu i shtetit francez.

Kritikët e tij kanë thënë se këto deklarata janë neokolonialiste dhe disa prej tyre madje ia kanë vënë nofkën Makron Bonaparti.

Megjithatë, mbrojtësit e tij, përfshirë banorët e dëshpëruar të Bejrutit, të cilët e quajtën “shpresa jonë e vetme”, e vlerësuan lart presidentin francez për vizitën në lagjet ku liderët libanezë kanë frikë të shkojnë.

Vizita e Makronit në Liban e shpërfaqi sfidën qendrore të Francës pasi ky shtet po përgatitet të mbajë konferencë ndërkombëtare të donatorëve për Libanin të dielën: Si të ndihmohet një vend në krizë, ku lidhjet ekonomike të Francës janë të thella, pa ndërhyrë në çështjet e tij të brendshme.


(Kosova Sot Online)