Eksperti italian: Shpërthimi në Bejrut u shkaktua nga djegia e armatimit

  • S.A /
  • 10 August 2020 - 12:21
Eksperti italian: Shpërthimi në Bejrut u shkaktua nga djegia e armatimit

Një ekspert italian i shpërthimeve pretendon se shpërthimi masiv në Bejrut të Libanit javën e kaluar është shkaktuar nga djegia e raketave ushtarake e jo nga nitrati i amonit.

Danilo Coppe nga Parmesani i Italisë është një nga ekspertët më të njohur për mjete shpërthyese në këtë shtet, shkruan Daily Mail.

Ai beson se shpërthimi i 4 gushtit, ku raportohet se humbën jetën mbi 200 persona, nuk është shkaktuar nga nitrati i amonit për shkak se reja e tymit, e krijuar pas shpërthimit, kishte ngjyrë të portokalltë.

Eksperti italian sqaron se kur shpërthen nitrati i amonit, kjo substancë krijon re me ngjyrë të verdhë.

“Mund të shihni qartë një kolonë të portokalltës në të kuqen e ndritshme, tipike në rastin e pranisë së litiumit. Litiumi në trajtën e metal-litiumit është shtytës për raketa ushtarake. Unë mendoj se aty kishte armatim”, tha ai. Coppe sqaroi se, sipas mendimit të tij, në fillim ishte një shpërthim i parë më i madh, që mund të ketë shkaktuar shpërthim të zjarrit në vendin ku kishte armatim. Ai pretendon se zjarri më pas ka mundur të jetë përhapur në vendin ku ka pasur lëndë shpërthyese, përfshirë raketat.

(Kosova Sot Online )