Tensionet Greqi-Turqi në një pikë të lartë, Erdogan dërgon anijen e naftës afër Qipros

  • A.P /
  • 10 August 2020 - 19:24
Tensionet Greqi-Turqi në një pikë të lartë, Erdogan dërgon anijen e naftës afër Qipros

Kryeministri grek, Kiriakos Micotaqis, ka mbledhur Këshillin Kombëtar të Sigurisë për shkak të rritjes së tensioneve me Turqinë.

Turqia njoftoi nëpërmjet një mesazhi ndërkombëtar për sigurinë detare se po dërgonte një anije për të kryer gërmime për naftë në zonën midis Qipros dhe Greqisë, një territor që ka hapur debate midis dy vendeve.

Sipas Turqisë, anija do të kryejë gërmime për eksplorim nga data 10 gusht deri më 23.

Ministri turk për Energjinë dhe Burimet Natyrore, Fatih Donmez, tha në Tëitter se anija “Oruc Reis” ka mbërritur në zonën e veprimit, duke thënë se ajo ka mbështetjen e 83 milionëve (popullsia e Turqisë).

Lëvizja vjen menjëherë pas marrëveshjes që nënshkroi Greqia me Egjiptin, duke caktuar kufijtë e rinj detarë dhe të drejtat e gërmimit për naftë. Turqia është e vendosur që këta kufij të qëndrojnë jashtë Mesdheut Lindor.

Një vit më parë, Turqia njoftoi një marrëveshje të ngjashme me qeverinë libiane, gjë që shkaktoi zemërim në Greqi, Qipro dhe Egjipt, të cilët deklaruan se kjo u shkelte të drejtat ekonomike në Mesdhe.

BE u shpreh se marrëveshja shkelte ligjin ndërkombëtar dhe kërcënonte stabilitetin në rajon.

Kryeministri grek, Kiriakos Micotaqis, foli me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, duke e informuar për marrëveshjen midis Greqisë dhe Egjiptit, si dhe për situatën në Mesdheun Lindor.

Ai ka në program të diskutojë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, pasditen e të hënës.

Të dy palët kishin negociuar në Berlin dhe ishin gati duke publikuar një deklaratë të përbashkët, por marrëveshja Greqi-Egjipt bëri që Turqia ta ndërpresë dialogun, me urdhër të presidentit Erdogan.

Greqia dhe Turqia, fqinj dhe të dy aleatë në NATO, kanë pasur mosmarrëveshje dhe tensione prej dekadash të tëra, për çështje të ndryshme, që nga kufijtë detarë e deri te çështje të tjera të popullsisë në Qipro. Në vitet ’70 kanë qenë tri herë në prag të luftës.

Zbulimet e fundit të burimeve të gazit natyral nëpër Mesdhe kanë bërë që tensionet të rriten edhe më tej.

(Kosova Sot Online)