Pasojat e pandemisë, shuhen 220,000 vende pune në Britani për tre muaj

  • E.K /
  • 11 August 2020 - 10:15
Pasojat e pandemisë, shuhen 220,000 vende pune në Britani për tre muaj

Numri i personave të punësuar në Britaninë e Madhe ra për 220,000 persona gjatë tremujorit të dytë të vitit. Kjo ishte rënia më e madhe e vendeve të punës në Mbretërinë e Bashkuar që nga viti 2009.

Kjo shifër u publikua nga Zyra për Statistika Kombëtare, e cila tha se kriza e shkaktuar nga pandemia i goditi personat e vetëpunësuar, shkruan Reuters.

Gjatë kësaj periudhe, numri i personave të vetëpunësuar ra për një nivel rekord, ndërsa pas tyre më së shumti pësuan punëtorët më të moshuar.

Tkurrja e numrit të vendeve të punës në Britani pritet të vazhdojë për shkak se qeveria do ta ngushtojë skemën për mbrojtjen e punëtorëve, e cila pritet të marrë fund në tetor.

Ministri britanik i Financave, Rishi Sunak, tha se kjo shifër dëshmon se programet e qeverisë për përkrahje janë duke funksionuar, por se humbja e vendeve të punës është e pashmangshme.

“Unë kam qenë gjithmonë i qartë se nuk mund ta mbrojmë secilin vend të punës, por kemi plan të qartë për të mbrojtur, përkrahur dhe krijuar vende të punës për t’u siguruar që askush të mos mbetet pa shpresë”, tha ky ministër përmes një deklarate.

Javën e kaluar, Banka e Anglisë parashikoi që shkalla e papunësisë të shkojë në 7.5 për qind në fund të këtij viti.

(Kosova Sot Online)