Hyrja e ushtrisë serbe në Kosovë, Hoti mbledh krerët e institucioneve të sigurisë

  • E.K /
  • 11 August 2020 - 11:15
Hyrja e ushtrisë serbe në Kosovë, Hoti mbledh krerët e institucioneve të sigurisë

Hyrja e ushtrisë serbe brenda territorit të Kosovës dhe shqetësimet e ngritura nga banorët të cilët jetojnë në zonën kufitare të Karaqevës, ka bërë që kreu i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, të mbledh sot bashkë të gjithë krerët e institucioneve të sigurisë në Kosovë përmes një video-konference.

Në takim është biseduar për gjendjen e përgjithshme në vend dhe për bashkërendimin e veprimeve institucionale në fushën e sigurisë.

Prezent në këtë takim virtual kanë marrë pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, drejtori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Kreshnik Gashi, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

Në këtë bashkëbisedim, kryeministri Hoti ka falendëruar përfaqësuesit e institucioneve të sigurisë në vend për përkushtimin dhe angazhimin e shtuar të tyre për përballimin e gjendjes së krijuar si pasojë e pandemisë COVID 19.

Po ashtu, kreu i qeverisë ka kërkuar që ky përkushtim dhe ky mobilizim i këtyre institucioneve të vazhdojë edhe më tutje, ndërkohë që kërkoi edhe koordinimin me mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë, e në veçanti me KFOR-in, si një partner strategjik i Kosovës në fushë të mbrojtjes dhe sigurisë.

(Kosova Sot Online)