Irani mbyll një gazetë pasi ajo raportoi shifër 20 herë më të madhe të viktimave se numri zyrtar

  • E.K /
  • 11 August 2020 - 11:48
Irani mbyll një gazetë pasi ajo raportoi shifër 20 herë më të madhe të viktimave se numri zyrtar

Një gazetë iraniane është mbyllur pasi e botoi një intervistë me një ish-anëtar të task-forcës kundër koronavirusit, ku ai tha se numri i vërtetë i viktimave të koronavirusit në Iran është 20 herë më i lartë se shifra zyrtare.

Lajmin për mbylljen e gazetës “Jahan-e Sanat”, e cila është marrë më shumë me zhvillimet në ekonomi, e bëri të ditur kryeredaktori i saj, Mohammadreza Saadi.

Epidemiologu Mohammadreza Mahboubfar, u citua të ketë thënë se numri i viktimave të pandemisë mund të jetë 20 herë më i lartë se shifra zyrtare, shkruan Daily Mail, transmeton Gazeta Express.

“Shifrat e publikuara nga zyrtarët për rastet dhe vdekjet nga koronavirusi janë vetëm 5 për qind e numrit të vërtetë”, tha Mhaboubfar në këtë intervistë.

Sidoqoftë, zëdhënësja e Ministrisë së Shëndetësisë, Sima Sadat Lari, e kundërshtoi këtë pretendim dhe tha se ky person nuk ka qenë anëtar i task-forcës kundër koronavirusit.

Sipas këtij epidemiologu, autoritetet kanë vërejtur raste të koronavirusit në janar, ndërsa qeveria kishte njoftuar për rastet e para më 19 shkurt.

Irani është vendi më i prekur nga koronavirusi në Lindjen e Mesme dhe një ndër shtetet me më së shumti të infektuar në Azi.

(Kosova Sot Online)