Incidenti afër Shtëpisë së Bardhë, çfarë ndodhi me personin që e qëlloi shërbimi sekret

  • S.A /
  • 11 August 2020 - 12:02
Incidenti afër Shtëpisë së Bardhë, çfarë ndodhi me personin që e qëlloi shërbimi sekret

Presidenti amerikan, Donald Trump, u largua papritmas nga një konferencë për gazetarë pasi agjentët e Shërbimit Sekret e qëlluan një person që pretendoi se ishte i armatosur afër Shtëpisë së Bardhë.

Shërbimi Sekret tha se incidenti ndodhi një bllok larg Shtëpisë së Bardhë, ku një zyrtar e qëlloi një person të dyshuar që kishte vrapuar në mënyrë agresive në drejtim të tij, shkruan BBC.

Një agjent më pas iu afrua kreut të Shtëpisë së Bardhë në skenë përderisa ky po fliste para gazetarëve duke i thënë se duhet të largohet nga salla.

Sidoqoftë, presidenti u kthye disa minuta më vonë për të thënë se situata është nën kontroll.

Zyrtarët thanë se incidenti ndodhi saktësisht në këndin e rrugës “17th Street”, jashtë perimetrit të Shtëpisë së Bardhë.

Shërbimi sekret tha se një zyrtar dhe personi i dyshuar janë dërguar në spital dhe se perimetri i sigurisë së Shtëpisë së Bardhë nuk është cenuar në asnjë moment gjatë këtij incidenti.

Sipas departamentit të zjarrfikësve të Distriktit të Kolumbisë, një person ka pësuar lëndime serioze dhe potencialisht kritike.

Agjencia Associated Press raportoi se autoritetet janë duke e hetuar mundësinë që personi i dyshuar ka histori të vuajtjes nga sëmundjet mendore.

(Kosova Sot Online )