Gjermania shënon shifrën më të lartë të rasteve të koronavirusit që nga maji

  • E.K /
  • 12 August 2020 - 11:17
Gjermania shënon shifrën më të lartë të rasteve të koronavirusit që nga maji

Gjermania e ka regjistruar numrin më të madh të rasteve ditore të koronavirusit në më shumë se tre muaj.

Ministri i Shëndetësisë paralajmëroi për përhapje të virusit në gati të gjitha pjesët e vendit për shkak të personave që po kthehen nga pushimet, shkruan Reuters.

Sipas të dhënave të Institutit për Sëmundje Ngjitëse “Robert Koch”, në 24 orët e kaluara janë shënuar 1,226 raste të reja të infektimeve dhe shifra e përgjithshme ka shkuar në 218,519.

Përpos infektimeve, gjatë kësaj periudhe u shënuan edhe gjashtë viktima të reja dhe numri i përgjithshëm i rasteve fatale shkoi në 9,207.

“Pa dyshim, kjo është shumë shqetësuese, sepse tash kemi shumë përhapje në mbarë vendin”, tha ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn.

“Po shohim se për shkak të kthimit të personave nga pushimet, por edhe për shkak të të gjitha llojeve të tubimeve dhe ndejave familjare, tash kemi vatra të vogla dhe të mëdha të përhapjes në shumë rajone, pothuajse në të gjitha pjesët e vendit”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)