U shënuan 4 raste me Covid-19, njerëzit në këtë shtet bëjnë panik për të blerë ushqim

  • E.K /
  • 12 August 2020 - 11:51
U shënuan 4 raste me Covid-19, njerëzit në këtë shtet bëjnë panik për të blerë ushqim

Shumë njerëz janë parë duke pritur në radhë nëpër dyqanet e Zelandës së Re pasi kryeministrja e vendit, Jacinda Ardern njoftoi për masat e reja kufizuese të martën në mbrëmje.

Udhëheqësja e shtetit të largët vendosi masa të shkallës së tretë për izolim në qytetin Auckland gjatë 72 orëve të ardhshme duke filluar nga mesdita e së mërkurës pasi qyteti raportoi katër raste të reja të koronavirusit.

Pjesa tjetër e vendit u vendos nën masa të shkallës së dytë, me të cilat kërkohet distancë sociale e obligueshme dhe kufizim i numrit të personave që marrin pjesë në tubime, shkruan Daily Mail.

Parkingjet e veturave ishin të stërmbushura me automjete pasi njerëzit u nisën drejt dyqaneve ushqimore në tërë qytetin, ndonëse kryeministrja Ardern i luti qytetarët që të mos bëhen grumbull në qendrat tregtare.

Të gjitha rastet e shënuara të martën janë të lidhura me një familje. Autoritetet po e hulumtojmë burimin e infeksionit pasi u tha se familja në fjalë nuk kishte lidhje me udhëtimet e jashtme apo me programin e izolimit në hotele.

(Kosova Sot Online)