Bytyqi: Projektligjin për vlerat e luftës së UÇK-së do ta procedojmë në çdo seancë

  • E.K /
  • 13 August 2020 - 14:02
Bytyqi: Projektligjin për vlerat e luftës së UÇK-së do ta procedojmë në çdo seancë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Gazmend Bytyqi e ka quajtur të befasishme mënyrën e votimit të sotëm të Projektligjit për vlerat e UÇK-së në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Deputetët e Kuvendit nuk e votuan në lexim të parë projektligjin në fjalë, madje shumë prej tyre nuk ishin të pranishëm në sallë dhe vetëm 36 prej tyre morën pjesë në votim ku 35 votuan pro dhe një kundër.

E kjo për deputetin iniciues të projektligjit ishte e papritur kur pritej miratimi i tij në parim.

“Ishte e befasishme forma e votimit sepse qe tre muaj kemi diskutuar me të gjitha grupet parlamentare, kemi pasur konsensusin politik, dhe unitetin që ligjin ta trajtojmë në lexim te pare dhe shqetësimet t’i adresojnë në lexim të dytë dhe t’i përmirësojmë… I kuptojmë disa prej shqetësimeve të kolegeve dhe miqve ndërkombëtarë, por ne i kemi siguruar se jemi të gatshëm që në lexim e dytë t’i bëjmë përmirësimet dhe amandamentimet e nevojshme”, tha ai në një konferencë për media.

Bytyqi tha se për qëllim kanë ta institucionalizojmë luftën e UÇK-së si vlerë sublime e popullit të Kosovës. Ai tha se do të vazhdojnë të paraqesin këtë projektligj në seancat e ardhshme të Kuvendit.

“Ky ligj në bazë të rregullores së Kuvendit do të procedohet në secilën seancë, çdo seancë që do të kemi pikë e parë do të jetë ky ligj derisa të votojnë 61 deputetë për, kundër ose abstenim”, tha ai.

Ndryshe, projektligjin për vlerat e luftës së UÇK-së e kanë kundërshtuar edhe ndërkombëtarët, ku ka reaguar edhe Ambasada amerikane në Prishtinë dhe ajo zvicerane, ndërkohë që ka ngjallur debat mospajtimesh në skenën politike në Kosovë. Ky projektligj mund të kthehet prapë në votim.

(Kosova Sot Online)