Shukri Buja qe 1 vit këshilltar i Thaçit, kjo është pasuria që ka deklaruar

  • A.P /
  • 13 August 2020 - 16:23
Shukri Buja qe 1 vit këshilltar i Thaçit, kjo është pasuria që ka deklaruar

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka emëruar si këshilltar politik ish kryetarin e Lipjanit, Shukri Bujën, i cili është i akuzuar në një rast të shënjestruar për liberalizimin e vizave. Buja ishte dënuar në vitin 2018, me tri vjet burgim efektiv për keqpërdorim të detyrës zyrtare në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, por që në gusht të vitit të kaluar, rasti është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Ish-kryetari i Komunës së Lipjanit, Shukri Buja ka deklaruar pasurinë e tij në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Por, më lajm se pasuria e tij, është bërë emërimi i tij si këshilltar i Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit.

Bazuar në regjistrin për deklarimin e pasurisë, Buja është emëruar në këtë pozitë më 16 gusht të vitit të kaluar. Si këshilltar i Thaçit, ai ka deklaruar se merr 7 mijë e 706 euro në vit.

Se është emëruar në këtë pozitë e ka konfirmuar vetë Buja.

“Po, jam emëruar qe gati 1 vit”, ka thënë ai.

Përveç pagës nga Presidenca, Buja ka edhe të hyra të tjera. Ai ka deklaruar se merr edhe rreth 11 mijë euro nga qiratë e një depoje, toke bujqësore dhe një lokali afarist.

Si pasuri të paluajtshme, ka deklaruar një lokal afarist në vlerë prej 60 mijë euro, një depo të materialit ndërtimor në vlerë 60 mijë euro, një truall që kushton 15 mijë euro, tokë bujqësore në vlerë 67 mijë euro dhe një truall tjetër që kushton 25 mijë euro.

Ndërkohë, fëmijët e tij kanë në pronësi tri toka bujqësore në vlerë prej mbi 73 mijë euro, një motel në vlerë prej 180 mijë euro dhe një lokal, vlera e të cilit sillet rreth 187 mijë euro.

Tek pasuritë e luajtshme ka deklaruar veturën e bashkëshortes në vlerë 7 mijë euro dhe veturën e fëmijëve, që thotë se kushton tetë mijë euro.

Buja ka edhe 100 përqind aksione në një kompani, sikurse edhe fëmijët e tij. Ata kanë aksione në vlerë prej 180 mijë euro.

Para të gatshme ka deklaruar se i ka 1 mijë e 800 euro në një bankë në Lipjan, derisa borxh bankave thotë se nuk iu ka.

Tek detyrimet financiare ndaj bankave, ai ka deklaruar kreditë e fëmijëve në vlerë prej gati 200 mijë euro, të hyrat vjetore të të cilëve sillen rreth 55 mijë euro.

Në fund të regjistrit, Buja ka deklaruar se është duke e ndërtuar edhe një shtëpi në vlerë prej 230 mijë euro, me paratë që ka marrë nga shitja e banesës.

Image
Image
Image
Image

(Kosova Sot Online)