Spitali i Ferizajt furnizohet me oksigjen nga kompania e akuzuar për vdekjet nga oksiduli në QKUK

  • A.P /
  • 13 August 2020 - 23:13
Spitali i Ferizajt furnizohet me oksigjen nga kompania e akuzuar për vdekjet nga oksiduli në QKUK

Gati 10 mijë euro është vlera e tenderit me të cilin Spitali i Ferizajt ka shpërblyer kompaninë “Bubeari Komerc” për furnizim me boca të oksigjenit për rastet me koronavirus. Është e njëjta kompani që para dy vjetësh dyshohej se kishte prodhuar jashtëligjshëm gaz mjekësor, që dyshohet se ishte shkaktar i vdekjes për pacientë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Dyshimet e hetuesisë ishin që gazi mjekësor, me të cilin kompania e pati furnizuar Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ishte shkaktar i vdekje së katër pacientëve në shtator të 2017-s, në QKUK. Pronari i kompanisë, Naser Guri, ishte arrestuar.

Lexo Edhe:

Biden: Çdo amerikan duhet të mbajë maskë kur është jashtë shtëpie, për minimumi tre muajt e ardhshëm

Inspektorati Shëndetësor me asistencën e Policisë së Kosovës e pati inspektuar këtë kompani. Raporti i tyre pati konstatuar se kjo kompani ilegalisht ka prodhuar gazin mjekësor, gaz i cili është përdorur në spitalet e Kosovës.

Atëkohë QKUK-ja pati marrë vendim që t’ia shkëpuste kontratën kësaj kompanie.

Përderisa hetimet janë duke vazhduar, Spitali i Ferizajt me një “kërkesë emergjente” ka shpërblyer me tender në vlerë prej 9929 eurosh për furnizim me 45 boca të oksigjenit për rastet me COVID-19, raporton ktv

Kompania fitoi tenderin më 11 gusht.

Sipas përshkrimit të letrës për tenderuesin, thuhet se kompania ka dorëzuar tenderin me çmimin më të ulët dhe i ka plotësuar të gjitha dokumentacionet e kërkuara në dosje të tenderit dhe në njoftimin për kontratë, teksa theksohet se ka qenë e vetmja kompani ofertuese.

(Kosova Sot Online)