Zemaj: Jemi vendi i fundit në botë me numër të anesteziologëve

  • E.K /
  • 14 August 2020 - 12:24
Zemaj: Jemi vendi i fundit në botë me numër të anesteziologëve

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, është duke raportuar në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19. Gjatë raportimit, Zemaj përmendi edhe ikjen e anesteziologëve nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës për të kaluar në spitalet private.

Sipas tij, Kosova është vendi i fundit në botë me numër të anesteziologëve.

“Jemi vendi i fundit me numër të anesteziologëve në botë. Këtë statistikë e kam pa edhe personalisht dhe i kemi dhanë prioritet me specializimet e reja. 14 janë nda në QKUK dhe 12 në rajone, pa llogarit pjesën tjetër me vetëfinancim, që nënkupton 26. As ky numër nuk na afron me vendet e rajonit, derisa me vendet perëndimore jemi tepër larg. E kemi me prioritet kësaj fushe.

I pari i Shëndetësisë përmendi edhe dorëheqjen e tre anesteziologëve nga QKUK’ja për të kaluar në institucione private shëndetësore.

Vendimin e tyre për ta lënë punën në QKUK në këtë kohë pandemie, Zemaj e ka quajtur të padrejtë, jo etik dhe jo human.

“Tre persona kanë dhënë dorëheqje, ose kanë kaluar në sektorin privat. Personalisht mendoj që duhet të merret Oda e Mjekëve, sepse jemi në situatë pandemie, dhe ikja nga përgjegjësia dhe obligimet që kanë ndaj qytetarëve të vendit, kalimi në një institucion tjetër, i cili e lehtëson punën ose merret me një menaxhim tjetër, mendoj që ka qenë i padrejtë, jo etik dhe jo human”, ka deklaruar Zemaj në komision.

Ndryshe, tre anesteziologë e kanë lëshuar punën në fund të korrikut në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Drejtori i Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv, Nehat Baftiu kishte thënë se rritja e numrit të të sëmurëve me COVID-19, e ka vështirësuar punën brenda klinikave ku po trajtohen këta pacientë.

“Anesteziologë nuk kemi mjaftueshëm, vetëm nëse të gjitha shërbimet mbyllen, pra nuk punohen operacionet e tumoreve e sëmundjeve tjera urgjente, dhe merremi vetëm me COVID-19. Tre kolegë e kanë lëshuar punën. Ne jemi shumë keq me resurse njerëzore. Nuk kanë mundur ta përballojnë çdo të tretën ditë kujdestari, dhe ritmi i punës është i vështirë. Normalisht ata kanë oferta në spitale private me pagë deri në katër mijë euro, derisa këtu paga mujore është rreth 600 euro”, kishte thënë Baftiu.

(Kosova Sot Online)