Ramush Haradinaj ka një udhëzim për Kryeministrin Hoti kur të shkojë në Washington

  • A.P /
  • 14 gusht 2020 - 18:38
Ramush Haradinaj ka një udhëzim për Kryeministrin Hoti kur të shkojë në Washington

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, po thotë se mirëpret ftesën amerikane për takim në mes të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë më 2 shtator, derisa i ka bërë thirrje kryeministrit Hoti që të ketë një qasje serioze në diskutimet që do të ndodhin.

Sipas Haradinajt, i cili tashmë e ka bërë të hapur edhe ambicien e tij për t’u bërë president i Kosovës, duhet ruajtur momentumi i lidershipit amerikan.

“E mirëpres ftesën e të Deleguarit Special të Presidentit Trump për takim në Washington me 2 shtator mes Kosovës dhe Serbisë. Takimi i këtij niveli është mëse i mirëpritur dhe i bëj thirrje Kryeministrit Hoti që këtë herë të ketë qasje serioze në menaxhim dhe në format të temave dhe takimit duke e ruajtur momentumin e lidershipit amerikan”, ka thënë Haradinaj.

Në fund, Haradinaj thotë se SHBA’të janë të vetmit garantues për arritjen e finales me Serbinë për njohje reciproke me kufij të paprekur.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë e vetmja garancë në arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, për njohje reciproke në kufijtë ekzistues duke ruajtur karakterin unitar të shtetit”, ka përfunduar Haradinaj.

Kreu i AAK’së kishte kritikuar Hotin për takimin në Washington, për faktin se në takim nuk e kishte marrë Selim Selimin e AAK’së.

(Kosova Sot Online)