Rrit rrezikun e transmetimit të koronavirusit, ky vend ndalon pirjen e duhanit në publik

  • A.P /
  • 14 August 2020 - 19:22
Rrit rrezikun e transmetimit të koronavirusit, ky vend ndalon pirjen e duhanit në publik

Rajoni spanjoll i Galicias ka ndaluar pirjen e duhanit në vendet publike, ku distanca sociale nuk është e mundur (madje edhe në rrugë), për shkak të shqetësimit se rrit rrezikun e transmetimit të Covid-19. Kjo vjen pasi Spanja është një nga vendet e Evropës Perëndimore që po përballet me një përhapje të lartë të infeksionit.

Ndalimi i pirjes së duhanit në Galicia u njoftua në një konferencë shtypi të mërkurën.

Masa mbështetet në hulumtimin e ministrisë së shëndetësisë, i publikuar muajin e kaluar, që përshkruan lidhjen midis pirjes së duhanit dhe përhapjes së koronavirusit.

Hulumtimi thotë se rreziku është rritur sepse njerëzit lëshojnë spërkla – dhe potencialisht Covid-19, kur ata nxjerrin tymin. Gjithashtu thuhej se duhanpirësit rrezikojnë ta marrin infeksionin në mënyra të tjera, si për shembull duke prekur cigaren para se ta vendosin në buzë.

“Është vërtetuar se pirja e duhanit, në cilëndo prej formave të tij, përkeqëson përhapjen e sëmundjeve të frymëmarrjes”, thoshte hulumtimi.

“Pirja e duhanit me njerëzit afër dhe pa ndonjë distancim social përbën një rrezik të lartë infeksioni”, tha presidenti rajonal, Alberto Núñez Feijóo në konferencën për shtyp.

Sot, Ishujt Kanarie njoftuan një masë të ngjashme dhe ndaluan pirjen e duhanit në vendet ku distanca sociale nuk mund të mbahet. Masa do të hyjë në fuqi nesër së bashku me një urdhër tjetër që i bën maskat e fytyrës të detyrueshme në hapësira publike.

Zyrtarët në disa zona të tjera, përfshirë Madridin, Andaluzinë dhe Valencian, gjithashtu raportohet se po mendojnë të zbatojnë masën e kufizimit të duhanit.

Masa të ngjashme janë imponuar edhe në Afrikën e Jugut, ku shitja e duhanit u ndalua në fund të marsit.

Ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar, një studim tregoi se më shumë se një milion njerëz kishin hequr dorë nga pirja e duhanit që nga goditja e pandemisë Covid-19.

Këshillat e qeverisë në Mbretërinë e Bashkuar thonë se duhanpirësit mund të rrezikohen nga simptoma më të rënda të koronavirusit.

Mjekët thonë se duhanpirësit kanë më shumë gjasa të marrin infeksione të frymëmarrjes dhe të zhvillojnë komplikime të tilla si pneumonia.

(Kosova Sot Online)