Incidenti në Ferizaj: Policia i dërgon vet në spital dy të rinjtë që i rrahu, IPK jep detaje

  • E.K /
  • 15 August 2020 - 10:47
Incidenti në Ferizaj: Policia i dërgon vet në spital dy të rinjtë që i rrahu, IPK jep detaje

Gjatë mbrëmjes të së premtes në qytetin e Ferizajt ka ndodhur një gjë e pazakontë. Dy zyrtarë policorë janë përleshur fizikisht në mes të qytetit me dy qytetarë. E kjo ngjarje, ka tronditur mbrëmë Ferizajn. Sipas policisë, rrahja nisi pasi dy qytetarë nuk po i bartnin maskat në publik si dhe refuzuan t’i binden urdhrit të zyrtarëve policorë.

Por, hetime të detajuara për këtë punë tashmë ka nisur Inspektorati Policor i Kosovës. Këta të fundit në një përgjigje kanë treguar se dy personat e arrestuar nga policia janë dërguar në emergjencë nga vet policia për kontrollim mjekësor.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e IPK-së pas njoftimit për këtë rast kanë dalë mbrëmë në vendin e ngjarjes. Në këtë rast kanë qenë të përfshirë dy zyrtarë policorë të cilët kanë pësuar lëndime trupore”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Hetuesit e IPK-së kanë kontaktuar edhe me dy personat e arrestuar nga policia të cilët janë dërguar në emergjencë nga vet policia për kontroll mjekësore  dhe të njëjtit kanë deklaruar se trajtimi i tyre në stacionin policor ishte korrekt.

“Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore në koordinim me Prokurorinë drejt ndriçimit të plotë të rrethanave të rastit në fjalë”, thuhet në përgjigjen me shkrim të IPK-së.

E nga përleshja fizike kanë pësuar lëndime trupore edhe zyrtarët policorë të përfshirë në rast.

E megjithëkëtë, mbrëmë nga policia rajonale e Ferizajt i kanë dhënë detaje Expressit për këtë rast.

Zëdhënësi i policisë në Rajonin e Ferizajt Agim Gashi, i cili edhe konfirmoi se qytetarët në fjalë nuk i kanë respektuar rekomandimet e IKSHPK-së.

“Rreth orës 21:10 minuta njësitet policore të angazhuara në bazë të planit operativ gatishmëria dhe reagimi ndaj Covid-19 kanë hasur në dy qytetarë që nuk kanë respektuar vendimet e institucioneve shtetërore. Në momentin kur policia ka kërkuar letërnjoftimet nga ta, ata nuk kanë zbatuar urdhrat e policisë dhe kanë sulmuar dy pjesëtarë të policisë”, ka thënë Gashi.

Më poshtë mund t’i shihni pamjet e kësaj përleshjeje në qendrën tregtare “Village” në Ferizaj.

(Kosova Sot Online)