Trump: Gjermania është shumë e dobët për ta anuluar projektin e gazit rus

  • E.K /
  • 08 September 2020 - 12:11
Trump: Gjermania është shumë e dobët për ta anuluar projektin e gazit rus

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të hënën se do ta përkrahte Gjermaninë për t’u tërhequr nga një projekt i madh me Rusinë për furnizim me gaz pas dyshimeve për helmimin e një kritiku të Putinit. Sidoqoftë, presidenti amerikan tha se Berlini mund të jetë shumë i dobësuar në fushën e sigurisë energjetike për ta bërë një hap të tillë.

I pyetur rreth kësaj teme gjatë një konference për gazetarë, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se administrata e tij për një kohë të gjatë e ka këshilluar Gjermaninë kundër projektit “Nord Stream 2”, duke shtuar se ky shtet tashmë është shumë i varur nga burimet ruse të energjisë.

“Absolutisht”, tha Trumpi, duke iu referuar përkrahjes së tij për tërheqjen e mundshme të Gjermanisë nga marrëveshja e madhe e energjisë me Rusinë. “Por unë nuk mendoj se Gjermania është në pozitë të tillë tash për tash, sepse Gjermania është në një pozitë shumë të dobësuar në fushën e energjisë”, shtoi ai.

Presidenti amerikan gjithashtu tha se NATO-ja ekziston për ta mbrojtur Evropën nga Rusia, por Gjermania ia ka paguar miliarda dollarë këtij shteti, shkruan Anadolu.

Projekti “Nord Stream 2” ka të bëjë me ndërtimin e gazsjellësit prej 1,200 kilometrave, që do të realizohet nga Gazpromi rus dhe pesë kompani evropiane.

(Kosova Sot Online)