Republika Çeke regjistron për herë të parë mbi 2 mijë të infektuar me koronavirus

  • E.K /
  • 17 September 2020 - 10:50
 Republika Çeke regjistron për herë të parë mbi 2 mijë të infektuar me koronavirus

Republika Çeke ka raportuar të enjten për herë të parë mbi 2,000 persona të infektuar me koronavirus brenda një dite.

Ministria e Shëndetësisë në këtë vend ka regjistruar 2,139 raste të reja me koronavirus të mërkurën, për dallim nga 1,675 raste një ditë më parë.

Ky shtet me 10.7 milionë banorë është përballur me rritje të numrit të të infektuarve këtë muaj, shifra që nuk janë parë gjatë valës së parë të shpërthimit të koronavirusit në muajin mars.

Për shkak të kësaj rritjeje, qeveria ka ashpërsuar vendimet, duke përfshirë vendosjen e maskës si dhe ka kufizuar orarin e punës së restoranteve dhe bareve.

Të mërkurën, Ministria e Shëndetësisë ka thënë se do të ndalojë organizimet e brendshme me pjesëmarrës në këmbë.

Autoritetet çeke janë duke synuar që të shmangin izolimin kombëtar që kanë zbatuar në fillim të pandemisë, që ka rezultuar me dëmtim të ekonomisë.

Prej shpërthimit të pandemisë, ky shtet i Evropës Qendrore ka raportuar 41,032 raste të infektimit.

Prej tyre, 22,931 pacientë janë shëruar dhe 482 kanë vdekur.

(Kosova Sot Online)