Bahtiri: Mitrovica shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme!

  • A.P /
  • 29 September 2020 - 20:05
Bahtiri: Mitrovica shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme!

Mbledhja e sotme urgjente e thirrur nga kryetari i komunës, Agim Bahtiri, është udhëhequr nga asamblisti më i vjetër në moshë, Shyqyri Peci, në mungesë të prezencës së kryesuesit Kamberi, ku pikë e vetme e rendit të ditës ishte Aprovimi i Draft-buxhetit komunal për vitin 2021 dhe parashikimet për vitet 2022-2023.

Në këtë seancë ishin të pranishëm asamblistët nga radhët e Vetëvendosjes, NISMA-së dhe AAK-së, ndërkaq është bojkotuar nga asamblistët e LDK-së, PDK-së, PD-së dhe AKR-së.

E kjo, si duket, ka nervozuar kryetarin Agim Bahtiri, i cili ka paralajmëruar se do të nis procedurat për shpalljen e zgjedhjeve për Asamblenë e Mitrovicës

“Ne si ekzekutiv kemi qenë çdo herë të hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë politike, dhe në mbledhjen e fundit të Kuvendit e kam pezulluar aprovimin e buxhetit me kërkesë të opozitës për hartim të përbashkët, ku në takimin e djeshëm ka marrë pjesë vetëm përfaqësuesi i partisë LDK, dhe pavarësisht përpjekjeve të mia opozita për interesa politike bojkotuan këtë seancë. Andaj mua nuk më mbetet zgjidhje tjetër, veçse t’ju drejtohem organeve kompetente për fillimin e procedurave për shpalljen e zgjedhjeve të Asamblesë Komunale”, tha Bahtiri.

Ndryshe, opozita e Mitrovicës është barrikaduar kundër pushtetit dhe nuk po lejon të kalojë asnjë propozim.

(Kosova Sot Online)