Gjykata Speciale e Kosovës, pa simbolet e shtetit tonë

  • A.P /
  • 02 October 2020 - 21:43
Gjykata Speciale e Kosovës, pa simbolet e shtetit tonë

Ekspertët e protokollit të shtetit thonë se Specialja duhet të ketë simbole të shtetit të Kosovës.

Është Gjykatë e Kosovës me seli në Hagë.

Ndonëse zë vend edhe në Kushtetutë, ajo nuk ka asnjë simbol të Republikës së Kosovës.

Madje në 3 seancat gjyqësore të mbajtura deri më tani, por edhe në dokumente të tjera nuk identifikohet si Gjykatë vendore.

Ndërkohë,  një njohës i protokollit të shtetit thotë se është detyrë ligjore e institucioneve shtetërore që t’i vendosin simbolet.

Ani pse Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të vendosura në Holandë, Tomorr Avdiaj thotë se ato duhet ta respektojnë protokollin e shtetit.

Ai tregon se institucionet tjera të Kosovës në atë shtet, i përdorin flamurin e stemën e vendit.

Megjithatë dikush që përfaqëson të pandehur në Gjykatat në territorin e Kosovës thotë se as organet e drejtësisë në Kosovë  nuk i kanë simbolet shtetërore në sallat e gjyqit, apo në vendimet që i lëshojnë.

Avokati Artan Qerkini thotë se një gjë e tillë është dashur të parashikohet me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pasi që e njëjta është mbi ligjet tjera të vendit.

(Kosova Sot Online)