Haradinaj iu shprehë ngushëllime familjes së katër të vdekurve në Gjermani

  • E.K /
  • 17 October 2020 - 15:08
Haradinaj iu shprehë ngushëllime familjes së katër të vdekurve në Gjermani

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e katër anëtarëve nga familja Krasniqi, si pasojë e një aksidenti në Landin e Baden Württemberg të Gjermanisë.

Haradinaj, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, iu ka shprehur ngushëllime edhe institucioneve e qytetarëve të Ferizajt, prej edhe nga vinin të katër të ndjerit.

“Javë e rëndë për shqiptarët. I trishtë lajmi për rastin tjetër tragjik ku humbën jetën katër anëtarë të familjes Krasniqi nga Rahovica e Ferizajt, gjatë kthimit nga vendlindja.
I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Krasniqi, institucioneve dhe qytetarëve të Ferizajt!”, shkruhet në postimin e Kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, e ka bërë të ditur lajmin e kobshëm nëpërmjet llogarisë zyrtare të saj përgjatë orëve të mëngjesit.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani kanë njoftuar që sot ka ndërruar jetë edhe shqiptari i katërt në aksidentin e rëndë në Landin e Baden Württemberg.

Në këto çaste të vështira për të gjithë ne ku për vetëm një javë u shuan tragjikisht 6 jetëra të bashkëatdhetarëve tanë, shprehim pikëllimin e thellë për të gjitha tragjeditë e tmerrshme që rënduan fatin e diasporës sonë sidomos javën e fundit, duke u shprehur ngushëllimet e sinqerta në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës.

Duke qenë të vetëdijshëm që jeta në mërgim nuk është e lehtë, dua të shprehë mirënjohjen time të thellë për të gjithë bashkëkombësit tanë në diasporë që nuk e harruan asnjëherë gjakun, atdheun, dhe kombin, dhe kështu mbesin pjesë e pandashme e jona, pavarësisht se ku ndodhen fizikisht.

MPJD dhe misionet e saj diplomatike e konsullore janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e shteteve pritëse dhe në shërbim të qytetarëve tanë kudo”, shkruhej në postimin e saj. 

(Kosova Sot Online)