Frika nga rritja e rasteve, Italia shtrëngon masat kufizuese ndaj COVID-19

  • E.K /
  • 19 October 2020 - 08:48
Frika nga rritja e rasteve, Italia shtrëngon masat kufizuese ndaj COVID-19

Itali ka shtrënguar masat kufizuese në përpjekje për të ndaluar përhapjen e mëtejmë të koronavirusit, pas rritjes së numrit të rasteve dy ditët e fundit.

Kryeministri Giuseppe Conte ka thënë se masat janë marrë për të “shmangur një mbyllje totale”.

Kryetarët e qyteteve do të kenë fuqi të mbyllin hapësirat publike pas orës 21:00 ashtu si edhe të vendosin për orën e hapjes së restoranteve dhe numrin e njerëzve të lejuar do të kufizohet.

Conte në një adresim në televizion të dielën mbrëma tha se “nuk mund të humbim kohë, duhet të vendosim masa për të shmangur një izolim total, i cili do ta dëmtonte ekonominë”.

“Qeveria është këtu, por të gjithë duhet ta bëjnë pjesën e vet”, ka thënë ai.

Ai  ka shtuar se masat më efektive që mbeten në fuqi janë maska, distanca sociale dhe higjiena.

Ndër masat e reja janë edhe: ndryshimi i mësimit në shkolla, që sipas njoftimit do të inkurajohet mësimi në distancë, restorantet dhe kafetë do të mbyllen në mesnatë, por pas orës 18:00 vetëm shërbimi në tavolinë do të lejohet dhe numri i lejuar do të jetë maksimum gjashtë persona. Konferencat dhe festivalet janë suspenduar, pishinat dhe palestrat do të ndërmarrin masa të reja për të funksionuar.

Këto masa erdhën në fuqi pasi Italia shënoi rekord ditor të rasteve me COVID-19 të dielën, me 11,705 raste. Italia ka qenë vendi evropian më i goditur nga koronavirusi që nga fillimi i pandemisë. Deri tash, aty janë regjistruar 414,000 raste pozitive me 36,500 të vdekur.

(Kosova Sot Online)